Page 120 - Demo
P. 120


                                    Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe... këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë, le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.Me këtë mbiemër, për më shumë se dyzet vjet unë hutova mendjet e njerëzve nëpër botë. Qava shumë, edhe pse ata qeshnin. Geraldina, në botën ku jeton ti, nuk ka vetëm vallëzim dhe muzikë! Në mesnatë, kur ti largohesh nga salla madhështore, ndodh t’i harrosh përkrahësit e tu të pasur, por mos harro të pyesësh për gruan e tij, shoferin e taksisë që të çon në shtëpi. Dhe… qoftë edhe njëherë në ditë thuaj vetes: “Unë jam njësoj si ata.”. Po, ti je njëra prej tyre, vajza ime! Ka edhe më. Arti, përpara se t’i japë njeriut krahë që të fluturojë lart, zakonisht, i thyen këmbët atij. Dhe… po qe se vjen një ditë kur ti do ta ndiesh veten mbi publikun, menjëherë, flake skenën. Me taksinë e parë, shko në ndonjë nga zonat e Parisit. Unë i njoh shumë mirë ato! Atje, do të shikosh shumë kërcimtare ashtu si ti, madje, më të bukura, më mirënjohëse dhe me krenari të madhe. Atje, nuk janë dhe as mendohet të jenë dritat verbuese të prozhektorëve të teatrit tënd. Prozhektor, për ato vajza, është Hëna. Shiko mirë, vëzhgo! A nuk kërcejnë ato më mirë se ti? Mendo ndershmërisht, bija ime! Gjithnjë do të ketë nga ato që vallëzojnë më mirë! Unë do të vdes, ti do të jetosh. Unë dua që ti të mos e njohësh, kurrë, varfërinë. Me këtë letër të dërgoj një bllok çeqesh, që të kesh mundësi të shpenzosh aq sa dëshiron. Por, kur të shpenzosh dy franga, mos harro që monedha e tretë nuk është jotja.Ajo i takon një njeriu të panjohur, që ka nevojë për të. Një të tillë, ti do ta gjesh lehtë. Mjafton të duash që t’i shikosh këta të varfër të panjohur dhe kudo, do të takosh të tillë. Unë flas me ty për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë që, në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është pikërisht ky moment që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i pashmangshëm. Në një ditë të bukur, mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam, atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa përvojë, dhe… ata pa përvojë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta! Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë.…Kur të vijë koha që të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. I thashë nënës sate që të të shkruante lidhur me këtë çështje. Ajo e kupton dashurinë më mirë se unë, ndaj është më mirë që të të flasë ajo për këtë gjë. Puna jote është e vështirë, unë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh.Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm se, sa herë të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mia. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia të ketë ndaluar, dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarlin. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë jam përpjekur të jem njeri. Përpiqu edhe ti!(Letra e Çarli Çaplinit për të bijën)118 Gjuhë
                                
   114   115   116   117   118   119   120   121   122   123   124