Page 132 - Demo
P. 132


                                    GjakuNovela “Gjaku” është një prej krijimeve më të vlerësuara të Koliqit, e cila renditet e dyta ndër dymbëdhjetë tregimet dhe novelat që përmban libri “Hija e maleve” (1929). Në këtë novelë, Koliqi trajton temën e gjakmarrjes, si dhe atë të përpjekjes së individit shqiptar të fillimshekullit XX për t’u çliruar nga zinxhiri i zakoneve e ligjësive të pashkruara dhe për të ndjekur rrugën iluministe të zhvillimit dhe përparimit të vendit, nëpërmjet edukimit me dije e kulturë. Personazhi kryesor, Doda, është pikërisht projeksioni i kësaj përpjekjeje. I lindur në Malësi, Doda edukohet që në vogëli me kodet zakonore të vendit. Në mënyrë të pavullnetshme, ky edukim do të zërë vend në nënvetëdijen e tij, duke u fshehur në skutat më të errëta të saj, i gatshëm për t’u shfaqur në momentin më të parë kur preket kodi i tij. Doda vazhdon shkollën në Perëndim dhe ndjek rrugën e arsimimit dhe kulturimit. Shkolla dhe edukimi projektojnë te Doda njeriun që beson se vetëm nëpërmjet kulturës, shoqëria mund të shkëputet nga mendësia primitive dhe të ecë përpara në linjën e zhvillimit si kombet e tjera. Ndaj i futet punës për të shkruar një libër programatik për misionin qytetërues që i është caktuar. Pohimi programatik, me të cilin fillon novela, dëshmon përkushtimin e Dodës për të përmbushur misionin që ka: A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes?- Ai që kalon nëpër popull me hedhë farën për një jetë må të mirë, ai që e ndriçon me një dritë ma të bukur tokën që na ushqen, ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit një udhë të re qytetnie të vërtetë, âsht i denjë me qenë i nderuem si gjysmë perëndie. Por ky përkushtim dhe vetë misioni i Dodës vihen në provë, kur ai merr lajmin se të vëllanë, Zekën, ia kanë vrarë. Kthimi në Malësi për të varrosur të vëllanë është edhe fillimi i një lufte të brendshme mes “detyrimit” ndaj kanunit, ligjeve të pashkruara të fisit, që i diktojnë gjakmarrjen – një formë sjelljeje që mendonte se e kishte çrrënjosur nga vetja – dhe njeriut të kulturuar, intelektualit, që besonte se zhvillimi i vendit vjen pikërisht nga braktisja e zakoneve dhe rregullave që e kanë lënë prapa e në mjerim vendin. Në këtë luftë të brendshme, ku askush nuk i jep mbështetje e s’e ndihmon, nxjerr krye edukimi që kishte marrë në vogëli. Ligjet e pashkruara, që dalin nga skutat e nënvetëdijes së tij, e drejtojnë drejt veprimit fatal: gjakmarrjes. Doda vret gjakësin e njëherazi edhe parimet dhe bindjen e tij se vetëm dija mund ta çlirojë njeriun nga zakonet dhe ligjet që ka trashëguar prej shekujsh. Kështu, “shqiptari arkaik” triumfon ndaj “shqiptarit të qytetëruar”. Forcat instiktive e shtyjnë Dodën të bëhet gjakës dhe të mpijnë ndërgjegjen e qytetëruar. Pohimi që Doda bën në fund të novelës tregon fuqinë e kësaj force instiktive: Unë s’e kam mendue kurrë se qes pushkë: një forcë që s’dij me e shpjegue m’i mori mênt e më rrëmbeu vullnetin.E tërë novela, por sidomos pjesa e konfliktit të brendshëm që mbërthen Dodën gjatë përpjekjeve për t’iu shmangur “detyrimit” ndaj kodit të gjakmarrjes, karakterizohet nga prania e instrumenteve psikanalitike. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, ne arrijmë të depërtojmë në thellësi të qenies së personazhit dhe të kuptojmë gjendjen dhe sjelljet e tij. Kjo novelë, sikurse edhe disa prej tregimeve të tij, bën pjesë tek ai grup që studiuesit e kanë quajtur modeli i tregimeve psikospektive.Teksti i mëposhtëm ilustron pikërisht konfliktin e brendshëm që ka mbërthyer Dodën. Përshkruhet gjendja e rënduar shpirtërore dhe psikologjike e Dodës, i cili, i ndodhur në një rreth vicioz, ku të gjithë – i ati, fisi, prifti, nëna e së fejuarës, miku i familjes – e shtyjnë drejt përmbushjes së detyrimit kanunor të marrjes së gjakut, përpiqet të ruajë bindjen dhe pastërtinë e misionit të tij. ANALIZË E VEPRËS130 Letërsi
                                
   126   127   128   129   130   131   132   133   134   135   136