Page 149 - Demo
P. 149
Rolin kryesor në poetikën e Kutelit e luan rrëfimtari, i cili krijon raporte të caktuara me dëgjuesin dhe lexuesin. Komunikimi i tij me dëgjuesin vjen në formën e ligjërimit bisedor e të shkujdesur, të shtruar, shpesh dialogues: Fshati im, or tungjatjeta, e pi rakinë me hov e vrull të madh që nga djepi e gjer ne varri. (“Fshati im e pi rakinë”) Në këtë proces, autori merr rolin e ndërmjetësuesit të rrëfimit me lexuesin: E ju që vini pas nesh, në këtë dhe që na e lanë e që duam t’jua lemë, kujtoni kur e kur këto dhembjet tona dhe urreni përgjithmonë Latinin e zi. (“Fije nga jeta e Theofil Kostorit”). Po në këtë marrëdhënie rrëfyesi krijon raporte të veçanta edhe me hapësirën e kohën: Ja, ejani të ngjitemi bashkë në rejën e kohës, ku rrjedh pa pushim uji i jetës e i njerëzimit - se edhe ne ujë jemi e si uji shkojmë në këtë botë - e keni për të parë me sytë tuaj dëmet e kësaj dere bujëmadhe. (“Gjonomadhë e gjatollinj”). Kjo shumësi marrëdhëniesh e kthen edhe vetë rrëfyesin në personazh unik të gjithë prozës së tij tregimtare, herë duke u shkrirë rrëfyesi me personazhin e herë edhe duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Për të realizuar strukturimin artistik të veprës, merr rëndësi të dorës së parë funksioni i rrëfimtarit. Duke qenë i natyrshëm, rrëfimtari i Kutelit shfaqet në disa raporte me strukturën e veprave të tij: Rrëfimtari shpesh rrëfen çka ka dëgjuar nga dikush tjetër, duke u kthyer në rrëfyesin e rrëfyesit: Po meqë ra fjala për udhëtarë, a e keni dëgjuar ç’i ka ngjarë Hajros së Shites nga Meragozhdi? Jo? Prit se ta them unë me fjalët e tija. (“Lugetërit e fshatit tonë”). Në këtë mënyrë rrëfimtari, edhe pse merr shumë përmasa, e ruan individualitetin e tij, edhe pse shndërrohet nga një zë, në disa zëra, për t`u kthyer përsëri në një zë: Derën e Kapllan agës të Shaban Shpatës ne e kemi pasur derë miku që nga pleqtë. Kështu e nis rrëfimin te “Natë prilli”, duke shndërruar rrëfyesin nga ne, në ata. Çuditeshin e s’çuditeshin dot ata të brendshmit qysh mund të rrojë ky njeri vetëm me duhan, pa ngrënë gjë, pa pirë gjë... Në këto kalime që ndeshen jo rrallë në tregime, përmbushet synimi i një komunikimi të natyrshëm dhe lidhjet e drejtpërdrejta me psikologjinë e personazheve. Në këtë mes, fjala ka një peshë të madhe kuptimore-emocionale dhe artikulimi i saj gjatë rrëfimit varet në një shkallë të madhe nga ritmi i të treguarit.Shprehja më e plotë e mënyrës së rrëfimit të Kutelit janë përshkrimet. Autori e përdor me mjeshtëri fjalën si për të përshkruar mjedise e ngjarje, siç do të shohim në novelën “Vjeshta e Xheladin beut”, po ashtu për të përshkruar portrete: Asohere Marina ime kish një çupë. Kjo çupë ishte çupa jonë: imja dhe saja. Edhe kjo çupa jonë ishte një degëzë shelgu me bigël, si këmbë, e me një shuk shtrupe bubuzhele, si kokë, e veshur me dy-tre gishtërinj basmë, me ca fjongo e kordela e më the e të thashë. (“Vendosa të shkoj në mërgim”). Vepër e piktorit Edward Lear me motive nga ShqipëriaLetërsi 147

