Page 202 - Demo
P. 202
një koherencë, e cila varet nga një koncept kryesor (koha p.sh.) e hapet në formë rrezesh me të gjitha fjalitë e tjera të analizuara deri më tani. Fjalia 6 (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), nga pikëpamja drejtshkrimore e standardit nuk duhej të ishte më vete, pasi kemi lidhëzën kundërshtore por, me të cilën nis fjalia. Kjo e fundit, në fakt, është pjesë homogjene e fjalisë 5 (Jo se nostalgjia është e huaj për të.). Po këtë fakt ne nuk e gjykojmë këtu me këtë sy, pasi nuk jemi në tekste që respektojnë normën gramatikore. Sidoqoftë, pavarësisht paraqitjes grafike të këtyre dy pjesëve si dy fjali, është plotësisht e perceptueshme kjo fjali si pjesë e fjalisë paraprijëse edhe si logjikë koherence, edhe si mënyrë ndërtimi e këtyre dy pjesëve si një e vetme. Fjalia 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) merr në mënyrë lineare dy konceptet e fjalisë paraprijëse (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), pra, guximin dhe arsyetimin. Duhet thënë se, pavarësisht se duket sikur këto dy fjalë kanë marrëdhënie rimarrjeje vetëm me fjalinë paraprijëse, përsëri ato kanë referencë në distancë edhe me konceptin e njeriut (përkatësisht, atij absurd), tiparet e interesat e të cilit po diskutohen (Fjalia 3: “Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?”.). Pra, autori ruan të njëjtin kohezion, megjithëse mund të ndryshojë pikën referuese. Kujtojmë se, në shumicën e rasteve, referencat bëhen me kohën.Fjalia 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.)lidhet me fjalinë 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) pikërisht me të njëjtin stil të përmendur më parë, përkatësisht përmes një rimarrjeje të fjalëve të së njëjtës fushë kuptimore, konceptit kufij me konceptin liri, më saktë kufizimin e saj. Fjalia 9 (Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit.) rimerr direkt, nëpërmjet deiktikut (aty-referent i një vendi virtual kohor, këtu i dhënë me një metaforë rrjedha e jetës), fjalinë 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.). Kujtojmë se vazhdon lidhja e këtij të fundit (rrjedhës së jetës) si koncept me kohën, tashmë madje në kuadrin e një parafraze.- Nga kjo analizë mund të dallohet se në thelb teksti merret me raportin e kohës me njeriun absurd, që e koncepton si absurde kohën (njeriu). E gjithë kjo marrëdhënie absurde (Kini parasysh se Kamyja është përfaqësues i ekzistencializmit, që ndër të tjera trajton sfidën krenare të njeriut ndaj universit të dhunës e universit të pakuptimtë, që ai e quante absurd.) reflektohet nëpërmjet një mënyre ndërtimi, në të cilën fjalët e fushës semantike të kohës (si pjesë e interesave të njeriut), rimerren herë në raporte metonimike, herë perifrazohen për të shfaqur këtë marrëdhënie paradoksi-absurd.- Nga ana tjetër, e gjitha kjo marrëdhënie dhe gjithë rimarrjet direkte të fjalive njëra me tjetrën, janë të përqendruara shumica me fjalinë e parë e përkatësisht me konceptin e kohës [Përjashtim bën vetëm fjalia e tetë që i referohet fjalisë së tretë (njeriut absurd)]. - Duhet thënë se teksti i përket një regjistri mjaft të ngritur, me bazë arsyetimi debatin filozofik, por i dhënë në trajtën e një eseje. Në të vihet re përshkallëzimi i analizës e bashkë me të edhe i fjalorit analitik, që herë pas here vishet me struktura që induktojnë interpretim skenik (Kini parasysh pyetjen te fjalia e tretë. Fjalia që fillon me pjesëza mohuese, si fjalia e pestë, ndarje të një fjalie si fjalia e pestë me fjalinë e gjashtë, elipsat e kryefjalëve dhe fjali që fillojnë me mbiemër, si fjalia e tetë etj.).200 Gjuhë

