Page 218 - Demo
P. 218


                                    Kjo pikëpamje e botës si kaos është tema e tregimit “Biblioteka e Babelit” dhe shfaqet si një nëntemë në shumë prej tregimeve të tij. Përshkrimi që i bëhet “Bibliotekës së Babelit” na jep imazhin e universit. Që në paragrafin e parë e dimë se bëhet fjalë për një simbol: “Universi (që të tjerët e quajnë Bibliotekë) përbëhet nga një numër i pacaktuar dhe ndoshta i pafund galerish gjashtëkëndëshe me puse të gjera ajrimi në qendër...”. Ashtu si universi, biblioteka është e pafundme. “Biblioteka është një sferë, qendra e plotë e së cilës është çdo gjashtëkëndësh, rrethi i të cilit është i paarritshëm.” Kështu, biblioteka, pa e humbur funksionin e saj si e tillë, bëhet metaforë e universit, e kaosit të tij (ideja e kaosit dhe e konfuzionit bëhet më e plotë po të kemi parasysh simbolikën që përçon fjala Babel), e pamundësisë për të gjetur një formulë të përgjithshme, e pamundësisë për të zbuluar Librin e Plotë. Idenë e labirintit dhe të kaosit të botës e gjejmë edhe te tregimi “Alefi”. Shtëpia e Beatriçes dhe bodrumi në të cilin shfaqet Alefi është një lloj labirinti. Një lloj labirinti është edhe vetë ligjërimi që vesh vegimet që i shfaqen personazhit gjatë kundrimit të Alefit. Nga ana tjetër, Alefi është gjithçka, është bota që shfaqet paradoksalisht te një shkronjë, e cila përmban universin. “Alefi”Në këtë tregim, ndërthuren tri histori, të cilat nuk ruajnë të njëjtin regjistër ligjërimor dhe pleksen në mënyrë mbresëlënëse mes tyre: 1. vdekja e Beatriçes dhe përpjekja e Borhesit për të ruajtur kujtimin e saj; 2. rivaliteti letrar, por edhe erotik i Borhesit personazh me Carlos Argentino Danerin, kushëririn e Beatriçes dhe udhërrëfyesin e Alefit; 3. rrëfimi mbi Alefin. Te ky tregim, Borhesi merr rolin e rrëfimtarit dhe njëherazi të personazhit kryesor, pra, të një rrëfimtari homodiegjetik që i shpërfaq ngjarjet që ndodhin nga perspektiva e tij. Rrëfimi na vjen në vetën e parë, ndërkohë që zbulimi i identitetit të rrëfimtarit personazh bëhet vetëm nga mesi i tregimit. Veprimi fillon me një vizitë që ai, pra, Borhesi – rrëfimtar e personazh, kryen në shtëpinë e së dashurës së tij, Beatriçe Viterbosë, pas vdekjes së saj. Gjatë kësaj vizite, e cila do të kthehet në ritual, ai njihet me kushëririn e Beatriçes, të quajtur Karlos Argentino Daneri. Daneri e mban veten për poet dhe, në një prej vizitave, i beson Borhesit leximin e poemës së tij, e cila flet për botën. Por Borhesi nuk e vlerëson. Për të, për shijen e tij letrare, Daneri përfaqëson modelin e letrarit argjentinas snob e injorant, që i pëlqen të hiqet si “modernist”, por që në fakt s’është tjetër veçse një mediokër që krijon “vargje të fryra dhe me një shije të keqe”, të cilat e “rrisin deri në pafundësi mundësinë e kakofonisë dhe kaosit”. Muaj më vonë, Borhesi merr një telefonatë nga Daneri që do të ndryshojë gjithçka. Teksa i shpreh frikën se shtëpia do të shembet, ai, në të njëjtën kohë, i zbulon sekretin e tij: në bodrumin e shtëpisë është një Alef, një pikë nga e cila mund të shihet i gjithë universi. Nga këtu fillon e ngjizet edhe elementi i fantastikes në tregim. (Çfarë do të thotë se nga një pikë mund të shihet i gjithë universi? A ekziston një pikë e tillë?)216 Letërsi
                                
   212   213   214   215   216   217   218   219   220   221   222