Page 223 - Demo
P. 223
LetërsiKamyja dhe absurdiAbsurdi është një nga temat që përshkon pothuajse të gjitha krijimet e Kamysë. Në përmbledhjen me ese titulluar “Miti i Sizifit”, ai na e sugjeron kuptimin që ka për absurdin që në titull, nëpërmjet imazhit që prodhon figura mitike e Sizifit. Siç e dimë, Sizifi qe i dënuar të çonte një gur të madh gjer në majën e një kodre. Sapo i afrohej majës, guri rrokullisej në fund dhe ai duhej ta fillonte punën nga e para. Kjo punë që përsëritej vazhdimisht, në një cikël të pafund, shenjonte pakuptimësinë dhe absurdin i jetës. Të gjitha trajtimet që përmbledh libri “Miti i Sizifit” kanë në thelb analizën e njeriut absurd, e gjendjes në të cilën ai ndodhet, i hedhur në një botë absurde: “Absurdi lind, – sipas Kamysë, – nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”. Ndaj, analizat e tij marrin në konsideratë banalitetin e organizimit të jetës njerëzore dhe absurdin e ekzistencës: “Çfarë është në fakt njeriu absurd? Ai që pa e mohuar nuk bën asgjë për përjetësinë. Jo se nostalgjia është e huaj për të. Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet. Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës”, thotë Kamyja. Heroi i tij nuk është as i mirë, as i keq, as i moralshëm, as imoral. Ai është thjesht absurd dhe i huaj përballë perceptimit që ka shoqëria për të, por edhe përballë vetes. Vetja natyrale është e huaj përballë rregullave që kërkon të vendosë vetja sociale. Absurdi dhe tëhuajzimi në romanin “I huaji”Siç kemi thënë kur kemi folur për letërsinë moderne, tema e tëhuajzimit dhe e absurdit janë ndër kryesoret që lëvron kjo letërsi dhe dëshmojnë gjendjen në të cilën ndodhet njeriu modern. Në këtë gjendje ndodhet edhe personazhi kryesor i romanit “I huaji”. Në një botë absurde që e gjykon për gjithçka: për veprimet e kryera e të pakryera, për ndjeshmërinë dhe mungesën e saj, për mendimet dhe heshtjen, për tërheqjen dhe revoltën. Protagonisti ndihet vetëm, “i shenjuar me gisht” dhe i tëhuajtur. Albert Kamy Albert Kamy konsiderohet si një nga përfaqësuesit më tipikë të romanit ekzistencialist francez. Njihet gjithashtu si dramaturg, filozof e eseist. Gjatë viteve 1938-1942 shkruan dhe boton tri veprat e tij të rëndësishme, që lidhen së bashku nëpërmjet temës së absurdit dhe revoltës, ndaj kritika i ka quajtur edhe “Tre absurdët”: romanin “I huaji” (1942), esetë “Miti i Sizifit” (1942) dhe dramën “Kaligula” (botuar pak më vonë, më 1945-n). Përveç tyre, duke e zgjeruar edhe më tej temën e absurdit, të së keqes dhe revoltës, ai shkruan dhe romanin “Murtaja (1947), esenë “Njeriu i revoltuar” (1951), romanin “Rënia” (1956) etj. Një pjesë e mirë e veprave të Kamysë janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Në vitin 1957, Kamyja merr çmimin “Nobel” në Letërsi me romanin “I huaji”.Letërsi 221

