Page 231 - Demo
P. 231
Shpesh, kur lexon “100 vjet vetmi”, lexuesi vë re se ndërthurja mes fantastikes dhe së zakonshmes jepet në mënyrë gati-gati indiferente. Ajo nuk prezantohet si një ngjarje e jashtëzakonshme, po si pjesë e rutinës së zakonshme. “Pak e nga pak, Amaranta dhe Arkadioja nisën të flisnin gjuhën e guajirave përpara se të mësonin spanjishten; gjithashtu filluan të hanin çorbë hardhucash dhe vezë merimangash, gjë që Ursula nuk e vuri re fare, sepse në atë kohë ishte tepër e zënë me një tregti mjaft të leverdishme me gjela prej karameleje.” Siç shihet, duke përshkruar rritjen e fëmijëve, jepet si pa gjë të keqe dhe si diçka e zakonshme edhe ushqimi aspak i zakonshëm (i jashtëzakonshëm, më mirë) i fëmijëve. Përqasja që krijohet mes shqetësimit të Ursulës me këtë “dietë” ushqimore të fëmijëve krijon ironi dhe humor njëkohësisht. Ka studiues që në këtë teknikë shohin edhe ndikim nga Kafka, të cilin Markezi e njihte mirë. Dhënia e fantastikes pa e shpjeguar atë, po thjesht si një element në zinxhirin e rutinës së së përditshmes, së zakonshmes shihet si ngjashmëri mes tyre (Kujtoni përshkrimin krejt shpërfillës të ndjesisë së Gregori Zamzës në mëngjes, kur u ngrit dhe pa se ishte kthyer në kandërr.). Kompozicioni dhe efekti te lexuesiStudiuesit kanë theksuar se ky lloj ndërtimi kompozicional kërkon një lexues pa komplekse dhe pranues në lidhje me konvencione dhe simbolika të trashëguara e të reja, pasi ngjarjet e koherenca e tyre dhe veçanërisht kohezioni (ndërthurja e së zakonshmes me të jashtëzakonshmen), që i realizon ato, i shmang të gjitha këto komplekse e konvencione. Lexuesi mësohet me këtë teknikë dhe e pranon, aq më tepër, kur ajo shoqërohet me humor, gjë që tejkalon edhe ndonjëherë vështirësinë që krijon detajimi i theksuar i ngjarjeve, personazheve, proceseve në roman. Ky i fundit (detajimi) është gjithashtu tipar koheziv, që iu shkon për shtat shumë atyre që parashtruam më sipër. Është i zakonshëm përshkrimi me fjali të gjata të përbëra, në të cilat ngjishen shumë të dhëna njëkohësisht: “I pushtuar shpirt e trup nga një realitet i mirëfilltë, i cili dukej më fantastik sesa kozmosi i largët i forcës së tij të imagjinatës, ai e humbi të gjithë interesin për laboratorin e vet të alkimisë e braktisi atë materien e rraskapitur nga trajtimi disamujor dhe u shndërrua sërishmi në atë njeriun e etshëm për t’u marrë me gjithfarësoj gjërash, siç pat qenë në kohërat e para, në atë njeriun i cili vendoste për hapjen e rrugëve dhe për pozicionin e shtëpive, në mënyrë që askush të mos ishte i privilegjuar në kurriz të shumicës së banorëve.”. Plotësia e detajeve, siç quhet ndryshe kjo lloj teknike, në fakt pasqyron nënshtresat njohëse karakteristike të personazheve dhe përvojave të tyre. Në këtë lloj narracioni, studiuesit kanë vënë re mbishtresimin e kulturave të ndryshme; asaj indiane, spanjolle dhe amerikane. Ky shtresëzim kulturash përbën një korpus të bollshëm për shkrimtarin, që e merr këtë material dhe e përpunon në laboratorin e tij krijues me teknikat e sipërpërmendura. Një korpus i tillë favorizon në mënyrë të bollshme detajimin, që shfaqet mjaft i dendur. Si pjesë e ndërtimit të koherencës së tekstit, duhen përmendur edhe kthesat e menjëhershme të narracionit. Një gjë e tillë vihet re po të shohim fillimet e kapitujve, Letërsi 229

