Page 261 - Demo
P. 261
Në poezinë tij të paraluftës, Mekuli ishte inkuadruar plotësisht në tematikat e zakonshme sociale të asaj kohe, të lëvruara nga shkrimtarët shqiptarë të viteve ‘30. Në poezinë e pasluftës, ai bëhet zëri i masës së shtypur shqiptare nën thundrën e regjimit policor jugosllav, duke e vulosur tekstin e tij si një tekst të angazhuar me hallet ekzistenciale e sociale të racës së tij. Me këtë brumë tematik, ai do të përpunojë prirjen dhe afinitetin ndaj lirikës së angazhuar sociale me theksa patriotikë dhe revolucionarë, që do të jetë pjesë e gjithë krijimtarisë së tij (“Për ty”, 1955). Në libra të tjerë, si: “Avsha ada”, “Nga udhëtimet” (Brigjet) etj., vihet re edhe lirika refleksive, intime dhe ajo e peizazhit.Paralelisht me krijimtarinë e Mekulit në poezi, zhvilloi krijimtarinë e tij edhe Hivzi Sulejmani, por tashmë në prozë. Kujtojmë këtu vëllimin me tregime “Era dhe kolona” (1959), novelën “Njerëzit” (1966), “Fëmijët e lumit tim” (1969).Në tregimet dhe romanet e tij, Sulejmani hulumtonte kuptimin e të qenët njeri i vetëdijshëm, siç e thotë tekstualisht te “Fëmijët e lumit tim”: “‘Është vështirë të jesh njeri’, por i bindur, gjithashtu, se në këtë botë, krahas krimbave, lindin edhe burrat”. Studiuesit vënë në dukje se shtyllat kryesore të veprave të Hivzi Sulejmanit janë nëna dhe atdheu.Fillimi i viteve ‘60 shënoi edhe fundin e toneve të entuziazmit patriotik edhe në letërsinë kosovare. Në letërsinë e kësaj kohe e në vijim filluan të zënë vend tonet më të ulura, melankolike, që u dalluan në disa vjersha të Latif Berishës, që në fakt i përkasin gjysmës së dytë të viteve ‘50. Ato marrin trajtë të plotë te vëllimi “Bebzat e mallit” të Enver Gjerqekut (1960). Në gjurmët e këtyre motiveve intime e personale vërshuan edhe një numër jo i vogël shkrimtarësh të tjerë (Fahredin Gunga, Ganimete Nura, Besim Bokshi, Adem Gajtani, Maksut Shehu, Din Mehmeti, Muhamed Kërveshi, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj). Në këtë poezi shfaqen në jo pak raste edhe elemente biografike në trajtën e unit lirik. Parullat e fazës së parë ua lëshojnë vendin pasthirrmave (“Ku ma le moj / Besën -o”, Ali Podrimja, 1959), të cilat disa studiues i kanë parë edhe si ndikim nga folklori. Në poezitë e kësaj periudhe vizatohen imazhet e lustraxhiut, peshkatarit, hamallit, të verbrit, kasapit etj., si reflektim i heqjes dorë nga gjërat e mëdha dhe interesi për njerëzit e thjeshtë, hallet e brengat, tragjikja e jetës së tyre. Në këtë periudhë, edhe fëmijëria është një kënd që hulumtohet me nota intime (Sot kokrrat tua të kuqe / i mbërrij shum lehtë / pse jam ba burrë. / Por shijen e athershme / mollë / s’e ndjej ma kurr!”, “Molla”, Latif Berisha, 1959).Poezia e kësaj periudhe, që më së shumti u konceptua si lirikë subjektive intime, u hapi rrugë shkrimtarëve drejt lirikës refleksive. Kjo e fundit përbën edhe zhvillimet mjaft mbresëlënëse, duke sjellë trajtime e emra që tashmë kanë mbetur në fondin e shkrimtarëve tanë më të mirë. Rast tipik është ai i Azem Shkrelit, krijimtaria e të cilit i reflekton qartë këto evoluime si në tematikë, ashtu dhe në stil.Nga fundi i viteve ‘60 dhe në vijim të viteve ‘70 vihet re një interesim i shkrimtarëve për mitin, historinë, lashtësinë. Ky lloj brumi u përpunua përmes simboleve klasike tradicionale dhe atyre bashkëkohore. Elipsa sintaksore (mungesa e gjymtyrëve) shtoi mundësinë e shumë interpretimeve. Kësaj periudhe i përkasin “Mallkimet e fjetura” (1970) të F. Gungës, “Sampo” (1969) dhe “Torzo” (1971) të A. Podrimjes, “Simfonia e fjalës” (1968), “Balada e fshehur” (1970) dhe “Etje” (1973) të Rrahman Dedajt, “Deti ose poema e shqetësueme” (1968) dhe “Pagëzimet” (1969) të Q. Ujkanit, “Bukuria e zezë” (1968) e B. Musliut, “Mëkatet e Adamit” (1969) të M. Ramadanit etj.Hivzi SulejmaniLetërsi 259

