Page 262 - Demo
P. 262
Pothuajse në gjithë poezinë e Kosovës të viteve ’70, vihet re prirja për të përvetësuar përvojën e poezisë moderne. Simboli intensifikohet duke krijuar larmishmëri të madhe dhe duke ndërtuar metafora komplet të ndryshme nga ato të periudhave të tjera. Simbolet antike, biblike, kombëtare (të përrallës) dalin dukshëm në këtë periudhë, madje edhe duke u gërshetuar me njëra-tjetrën. Ato nuk shfaqen vetëm në poezi, por edhe në prozë. Rast tipik është vepra e Anton Pashkut, i cili në tregimet e romanin e tij e ka parim estetik këtë teknikë. Kështu, “Kulla” është simbol i qëndresës njerëzore e familjare, por edhe kombëtare. Po kështu, simboli i gurit, që e gjejmë edhe te Shkreli, Podrimja dhe Dedaj, ka një ngarkesë simbolike të përbërë, pasi ai përfaqëson edhe simbolin e vendlindjes, durimit, qëndresës, varfërisë. Tek Ali Podrimja, guri është simbol i identitetit dhe qëndresës së qenies sonë (Vë veshin në botën tënde të çuditshme / çaste epike / në Erën e kozmetikës, 1976), kurse te Rrahman Dedaj kemi “Koha është shndërruar në gur”: “Guri ia ruan trajtën kohës” (1973). Në jo pak raste, simboli gërshetohet me ironinë. E gjejmë këtë edhe te Podrimja “Gëzimit katër këmbë ia mbaruan” (Karriga). Vihet re se si metafora gërshetohet me ironinë stigmatizuese të karrierizmit. Gërshetimin e simbolit dhe ironisë e gjen edhe te Pashku. Mjaft të përmendim fjalimet e njeriut tek oda vezake, që promovon kozmopolitizmin (politikën kozmike, “Oh”).Vitet ’80 shënojnë një krijimtari letrare të bollshme, në të cilën vihen re autorë që shkruajnë poezi, tregime, drama dhe romane. Prirja kryesore e shkrimtarëve të kësaj kohe ishte eksperimentimi me gjuhës që përdornin. Kritika përmend tre emra, së bashku me veprat e tyre, për të ilustruar këtë eksperimentim me gjuhën: Musa Ramadani, Teki Dervishi, Sabri Hamiti. - Musa Ramadani krijon një poezi fjalëkryq (“Neurosis”, 1973), ku teksti zëvendësohet nga grafika (katër rreshta me shenja si vende bosh për vargje distike, vjen dyvargëshi: Horizontalisht: Bardhësi / Vertikalisht: Bardhësi). - Teki Dervishi sjell asociacione poetike shumë herë të palidhura me njëratjetrën, një teknikë që ka në bazë njëlloj montimi surrealist (Mushkëritë e bardha si filtër në tru / zemra në kokë - në bark sistemi nervor).- Sabri Hamiti në jo pak raste sjell vargje ekstravagante të tilla si këto, që kanë synim parodizimin (talljen) me shenjat e pikësimit: “Ulem në rradhën e trembëdhjetë / PIKË / ulet në radhën e trembëdhjetë / PIKË / thuaj nga shkurtpamësia / PIKËÇUDITËSE / ajo qesh nënqesh buzëqesh / PIKË” (1971).Në vitet e mëvonshme, në jo pak raste u eksperimentua edhe në kuadrin e hermetizmit. Si përfaqësues tipik i saj shihet Beqir Musliu (“Derisa përbirohem nëpër kurthat e padukshme / bie në Magjinë e Dytë që më lidhet për qafe / Për ta ngarkuar në shpinë shinën time shpinë”, “Darka e magjisë”, 1978).Krahas zhvillimeve letrare, në Kosovë ka pasur dhe ka zhvillime mjaft cilësore që lidhen me kritikën. Përmendim këtu disa nga emrat më të njohur: I. Rugova, R. Qosja, S. Hamiti, A. Vinca. Po të kemi parasysh faktin se ka studiues që kritikën e shohin edhe si një akt krijimi, atëherë na lejohet të themi se, në këtë rast, kemi kontribut të dyfishtë të këtyre autorëve. Nëse dy të parët (Rugova dhe Qosja) më së shumti trajtuan një kritikë identifikuese të motiveve, toneve, alternimeve, ose ndryshe një kritikë të kontekstit, Vinca, po veçanërisht Hamiti, përveç kontekstit, u drejtuan drejt analizës së asaj që i kishte munguar kritikës, analizës së tekstit. Në këtë kontekst, ata hartuan monografi dhe artikuj kritikë, më anë të të cilëve drejtuan si lexuesin e zakonshëm, po veçanërisht studiuesin, drejt identifikimit të kohezionit dhe koherencës së tekstit. Kjo ishte dhe mbetet një prirje e munguar dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë për analizimin e vlerësimin e shumë shkrimtarëve, që janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore.Musa Ramadani260 Letërsi

