Page 300 - Demo
P. 300
Pasi hyn në këtë pallat, Mark Alemi nis të ngjitet shkallë-shkallë deri në majën e hierarkisë. Përgjatë ngjitjes, ai arrin të ndërgjegjësohet jo vetëm për terrorin që ushtrohet mbi banorët e Perandorisë, por edhe mbi misterin që rëndon tek autoritetet: autoritetet jetojnë me tmerrin e një lloji shumë të rrallë ëndrrash, që ata i quajnë kryeëndrra, ose bashëndrra. Këto nuk mund të interpretohen dhe janë të afta të paralajmërojnë kataklizma të llahtarshme, si luftërat apo fundin e Perandorisë. Ndërsa ndodh ky ndërgjegjësim i protagonistit, romani të përball me ngjarje shpeshherë të papritura, por edhe të llogaritura mirë nga syri i një pushteti diktatorial, p.sh. ekzekutimi i Kurt Qyprilliut, sjellja makabre e Vezirit etj.PersonazhetPersonazhi kryesor, Mark-Alemi, ka një zhvillim të plotë si karakter, duke e nisur rritjen e tij nga një nëpunës i ndrojtur, plot frikë nga e panjohura që e pret në Pallatin e Ëndrrave, deri tek integrimi i tij i plotë në strukturat e këtij institucioni. Vetë emri i tij tregon nga njëra anë (Mark) prejardhjen e krishterë të familjes së Qyprillinjve, origjinën e tyre shqiptare, dhe nga ana tjetër (Alem), integrimin e familjes në kulturën dhe jetën turke, myslimane. Mark-Alemi e shfaq dhe e zhvillon karakterin e tij në marrëdhënie me të tjera personazhe të rëndësishme në vepër, të cilat vërtiten rreth ndërgjegjësimit të tij, duke ndihmuar këtë proces. Dy figurat kyçe, që në mënyrë dinamike ndikojnë në karakterin e Mark-Alemit, janë dy ungjit e tij: Kurt Qyprilliu dhe Veziri, ndaj të cilëve ushqente ndjenja të ndryshme. Ungji i vogël dëgjonte me një buzëqeshje të shkujdesur. Ndërsa i madhi i dukej Mark-Alemit si një bronz i mbuluar pakëz nga pluhuri i ashpërsisë, fanatizmit dhe provincës. Të voglin ai e donte përherë e më fort. Kjo ndjesi që sa vjen e thellohet në dy kahet e saj, projektohet nga vetë marrëdhënia që secili prej tyre ndërtoi me Pallatin e Ëndrrave dhe vetë Sulltanin. Ungji i tij i vogël, Kurti, është ndër personazhet më interesante të veprës, i realizuar në një profil mjaft tërheqës për shkak të të menduarit të tij krejt ndryshe nga politika despotike e Sovranit. Për këtë arsye, ai kishte marrë edhe nofkën Kurt Tjetërmendësi, si dëshmi e disidencës ndaj politikave të errëta dhe antinjerëzore të Sulltanit.Antipod i tij është Veziri, i vëllai, i cili edhe në rrethet familjare njihet me titullin që mban. Shërbëtor shumë besnik i Sulltanit, Veziri është krejt i ftohtë dhe i pandjeshëm ndaj fateve të individëve që makina e tmerrshme, Pallati, i trajtonte si sajesa mbi të cilat derdhte arrogancën dhe masakrën. Madje Veziri, nuk kursen as vëllanë e tij, Kurtin, të cilin nuk bën as përpjekjen më të vogël që ta shpëtojë nga ganxha e diktaturës, duke zhgënjyer në këtë mënyrë shpresat e nënës së Mark-Alemit dhe të Mark-Alemit vetë. Sytë e Vezirit kishin diçka të përbashkët me qelqet e thyera, të shpërndara tej e mbanë dhomës, mendon Mark Alemi për të, në çastin kur oficerët e Sovranit marrin Kurtin, për të mos e kthyer më kurrë. Në tërësinë e romanit, figura e Vezirit nuk është tjetër veçse silueta e Sulltanit të madh, i cili ndonëse nuk shfaqet kurrë fizikisht në vepër, është i pranishëm në çdo sekuencë apo ngjarje të Pallatit, në çdo fjalë e frikë të punonjësve të tij. I rrethuar me mister, prania e papranishme e Sulltanit është një nga gjetjet më interesante të Kadaresë, për të treguar mizorinë dhe pushtetin e tij absolut. Rrëfimi e bën atë të pranishëm nëpërmjet veprimeve të mekanizmave të tij shtetërorë, nëpërmjet bindjes së plotë 298 Letërsi

