Page 307 - Demo
P. 307
të merrte me mend se si Qyprillinjtë rronin e sundonin në kryeqytetin perandorak, ndërsa larg në Ballkanin e çuditshëm, në provincën me emrin Bosnjë, këndohej një epos për ta. Edhe më e parrokshme ishte për të se përse ky epos nuk këndohej në vendlindjen e Qyprillinjve, në Shqipëri, por në Bosnjë dhe, veç kësaj, ai nuk gjendej në gjuhën amtare të Qyprillinjve, në shqipe, por në gjuhën sllave. Një herë në vit, gjatë muajit të ramazanit, vinin rapsodët që nga Bosnja. Ata bujtnin për disa ditë rresht te Qyprillinjtë, për të kënduar baladat e tyre të gjata, të shoqëruara me një vegël muzikore që nxirrte një zë tejet të pikëllueshëm. Ky ishte një zakon që vazhdonte qysh prej qindra vjetësh dhe që brezat e rinj të Qyprillinjve nuk kishin guxuar ta braktisnin apo ta ndryshonin. Të mbledhur në dhomën e madhe të miqve, ata dëgjonin zërin e zvargur të rapsodëve sllavë, prej fjalëve të të cilëve nuk kuptonin asnjërën, përveç emrit Qyprilli, që ata e shqiptonin Çupriliq. Pastaj rapsodët merrnin shpërblimin e zakonshëm dhe iknin, duke lënë pas vetes një ndjesi zbrazëtie, që për disa ditë rresht shkaktonte te të zotët e shtëpisë ca psherëtima pa shkak, të ngjashme me ato që shkaktojnë ikjet e stinëve. Flitej se sovrani i kishte smirë Qyprillinjtë pikërisht për atë epos. Për sovranin qenë hartuar e vazhdonin të hartoheshin me dhjetëra divane e vjersha nga poetët zyrtarë, mirëpo një epos si ai i Qyprillinjve s’këndohej gjëkund për të. Madje, flitej se ishte pikërisht kjo smirë një nga shkaqet kryesore për rrufetë me të cilat sovrani godiste herë pas here Qyprillinjtë. Po pse nuk ia falnin atë epos sulltanit-mbret dhe të shpëtonin nga të këqijat e Qyprillinjve? kishte thënë njëherë Mark-Alemi i vogël, pasi kishte dëgjuar pëshpërimat e të mëdhenjve. Pusho, Mark-Alem, i kishte thënë nëna, eposi është diçka që nuk dhurohet, më kupton, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot.– Është si Nibelungen, kështu më tha, – vazhdoi Kurti mendueshëm. – Gjithë këto ditë kam bërë me vete atë pyetje që është bërë shpesh në shtëpinë tonë. Përse sllavët kanë ngritur një epos për ne, kurse bashkatdhetarët tanë, shqiptarët, në eposin e tyre, heshtin?– Kjo është e thjeshtë, – tha njëri nga kushërinjtë, – ata heshtin, sepse kanë pritur diçka prej nesh.– Sipas teje, ky është një qortim? – Merre si të duash.– Për mua është e kuptueshme, – ndërhyri kushëriri tjetër. – Është një keqkuptim i vjetër midis familjes sonë të Qyprillinjve dhe shqiptarëve. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë përmasat perandorake të familjes sonë, për të mos thënë që këtë gjë s’e përfillin aspak. Ata janë mospërfillës për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë Qyprillinjtë për tërë shtetin e madh, në gjirin e të cilit Shqipëria s’është veçse një pjesë. Ata duan të dinë vetëm ç’kemi bërë ne për këtë dromcë, vetëm për Shqipërinë. Kanë pritur vërtet diçka të veçantë prej nesh.Ai hapi krahët, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë: ja, kështu janë punët.Eposi i kreshnikeveLetërsi 305

