Page 325 - Demo
P. 325
Gjuhë Arti i intervistimit IIntervista është një formë shumë e efektshme për të mbledhur informacion nga një subjekt i caktuar rreth një teme të caktuar. Intervista mund të realizohet në kuadër të një angazhimi mediatik me një person publik, personalitet, profesionist të një fushe të caktuar etj., për të përcjellë informacion rreth tij dhe pikëpamjeve të tij për publikun e gjerë. Në raste të tjera, intervistat mund të kenë karakter shkencor dhe të realizohen me persona të ndryshëm, për shembull: për të mbledhur të dhëna për të realizuar një eksperiment ose punim shkencor. Intervista shpesh mund të ketë edhe karakter praktik, siç ndodh kur intervistohet dikush për t’u marrë në punë ose për të mbledhur përshtypjet për produkt ose shërbim të caktuar etj. Struktura e intervistësPërgjithësisht, struktura e një interviste përmban: një hyrje të shkurtër informuese për të intervistuarin dhe lexuesit/dëgjuesit e intervistës; një tërësi pyetjesh që i drejtohen të intervistuarit, të cilat mund të jenë të paracaktuara dhe të pandryshueshme gjatë intervistës, ose pyetje që riformulohen apo lindin aty për aty gjatë intervistës, në varësi të përgjigjeve që jep personi i intervistuar. Pyetjet e intervistës mund të jenë pyetje të mbyllura (ose, siç quhen ndryshe, pyetje me fund të mbyllur) ose pyetje të hapura (pyetje me fund të hapur).Pyetje të mbyllura janë ato që kërkojnë vetëm përgjigje specifike si “po” ose “jo”, ose që lidhen me çështje apo fakte të padiskutueshme. Të tilla, për shembull mund të jenë: “Sa kohë keni punuar në atë kompani?”; “Në sa gjuhë është përkthyer vepra juaj?”; “A keni pasur përgjegjësi të drejtpërdrejta në atë aksion social?” etj.Pyetje të hapura janë ato që kërkojnë më tepër informacion prej personit të intervistuar në lidhje me pikëpamjen e tij për një çështje të caktuar. Pyetje të tilla mund të jenë: “Çfarë mendimi keni për...?”; “Si ju është dukur veprimi i ...”; “Na tregoni disa sfida që keni hasur...” etj.Intervista përmban edhe një mbyllje, ku falënderohet i intervistuari ose mund të risillet në vëmendje qëllimi i intervistës dhe çfarë qe informacioni më i rëndësishëm që u përftua prej saj. Gjuha e intervistësNë varësi të qëllimit për të cilin realizohet intervista, përzgjidhet edhe kodi gjuhësor i përshtatshëm. Intervistat mediatike këshillohet që të realizohen në gjuhën standarde, me qëllim që të kuptohen më me lehtësi nga publiku i gjerë. Nga ana tjetër, intervistat me karakter shkencor, kur iu drejtohen personave që nuk kanë formim shkencor (si në rastin e eksperimenteve sociologjike p.sh.), duhet të përmbajnë informacion sqarues për terminologjinë shkencore të përdorur në to. Mënyra më e këshilluar për ta realizuar një intervistë është ballë për ballë, por shpesh intervistat kryhen edhe në distancë, përmes platformave të komunikimit online, ose intervista me shkrim (ku intervistuesi nis me shkrim pyetjet dhe i intervistuari sjell përgjigjet për to). Në intervistat e realizuara ballë për ballë është shumë e rëndësishme të respektohet etika e komunikimit dhe që i intervistuari të ndihet sa më i qetë për t’u përgjigjur. Ndaj këshillohet që intervistuesi të jetë “dyshues” ndaj përgjigjeve të personit të intervistuar, çka do të thotë të ngrejë vazhdimisht pyetje që do të japin më tepër sqarime për publikun, por jo armiqësor.Gjuhë 323

