Page 326 - Demo
P. 326
Arti i intervistimitTë intervistuarit, ashtu si shumë aktivitete të tjera të ngjashme komunikative, është një veprimtari që kërkon shumë praktikë dhe informacion paraprak. Në manualet e komunikimit dhe të gazetarisë, disa këshilla që iu jepen intervistuesve për të zotëruar artin e intervistimit janë:Përgatitja paraprake – që ka të bëjë me mbledhjen e informacionit rreth personit që do të intervistohet, ideve dhe qëndrimeve të tij, si dhe mbledhje të dhënash rreth çështjeve që do të mbulojë intervista. Përgatitja paraprake kërkon edhe përgatitjen e një liste pyetjesh të qenësishme, të cilat do të përbëjnë boshtin e intervistës. Gjatë bisedës, me gjasë, lindin edhe pyetje të tjera të atypëratyshme, çka do të thotë se intervistuesi nuk duhet patjetër t’i qëndrojë besnik verbërisht listës së parapërgatitur, por ta ketë atë për të vënë piketat e intervistës. Të dëgjuarit me vëmendje – që është një këshillë e vlefshme për intervistat ballë për ballë dhe kërkon përqendrimin e intervistuesit për të kërkuar më tepër sqarim ose për të bërë pyetje të atypëratyshme, në lidhje me çështje që ngrihen gjatë rrjedhës së intervistës.Pyetjet e thjeshta bëhen në fillim dhe të vështirat në fund – Si fillim, për të krijuar atmosferën e nevojshme për bisedë, bëhen pyetjet më të thjeshta që do ta nxisin personin e intervistuar të flasë lirisht. Për të shtensionuar situatën, intervistuesi mund të bëjë disa komente vlerësuese për personin që po interviston. Gjithsesi, mendimet dhe qëndrimet personale, intervistuesi duhet t’i mbajë për vete dhe të mos i parashtrojë në mënyrë të tepruar në intervistë, sepse fokusi i intervistës duhet të mbetet te përgjigjet e personit të intervistuar. Në fund, intervista mund të mbyllet me pyetjen: “A ka mbetur diçka tjetër e rëndësishme pa thënë?”. Kjo do ta bëjë të intervistuarin të gatshëm për të ndarë me intervistuesin diçka më tepër, që mund të ketë rëndësi për publikun. S T U D I M T E K S T I Verifikoni njohuritë1. Përmendni disa lloje kryesore të intervistës. Çfarë specifikash kanë intervistat shkencore dhe intervistat për synime praktike?2. Përse intervista ballë për ballë është forma më e parapëlqyer e intervistës?3. Cila do të ishte struktura tipike e një interviste dhe a ngjan kjo strukturë me strukturën që kanë llojet e tjera të teksteve të shkruara?4. Cilat lloj pyetjesh janë më të efektshme për të marrë sa më tepër informacion nga personi i intervistuar?5. Flisni rreth rëndësisë që ka përgatitja para intervistës.6. Bëni një listë të shkurtër me këshilla që do t’ia jepnit dikujt që po përgatitet për një intervistë me një personalitet të rëndësishëm të kulturës.Ushtroni të menduarin kritik7. Si mendoni se duhet të jetë gjuha dhe pyetjet e një interviste që realizohet me: një këngëtar pop; me një politikan të shquar; me një studiues.8. Komentoni thënien: “Përgatitja duhet të jetë njësoj, si kur duhet të intervistosh një diplomat, një kalorës në garat me kuaj apo një biolog. Nga e shkuara e personit në fjalë mëson se çfarë pyetjesh do të kenë më shumë sukses për të marrë përgjigje” (A. J. Liebling).9. Dëgjoni një intervistë radiofonike dhe shqyrtoni se sa i përgatitur është intervistuesi, sa e strukturuar është intervista dhe sa ndiqen udhëzimet e përgjithshme për një intervistë të suksesshme. 324 Gjuhë

