Page 335 - Demo
P. 335
ILUSTRIM LETRARA. Z. Pllumi Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar. – E njeh ti këtë? – E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem. – Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu? – Disa mendime të mija.– Mejtime? Po çfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi i reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur... Dhe mbasi i lexoi tha: – Pse gjerman na konsideron ti neve? Më zi se fashistat jemi ne, kështu thua ti? Fol!– Un e kam shkrue këtë kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji. – Po a mejton ti se një ishte Babë Rexha. E din ti se kush ishte Babë Rexha?– Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat i gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës që kishin vû gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë. – Ti do të na mësosh neve logjikën? Ti... ti, – dhe nuk përmbajt mâ, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë. Oborri ishte vû persri në veprim. Ndersa po më varshin, kqyra nëse po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin nuk e pashë mâ kurr. As atê burrin lidhë trumën bishtshkurtë. Dita dhe nata ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë ma merrte shpirtin. Por tjera tortura filluen mbrenda meje: mendimet. Mendime gjithfarësh, njani mâ zí se tjetri. […] Edhe pse trupi ishte mpi krejtsisht, për çudi, truni vazhdonte veprimet e veta në rregull apo jo? Kush e di?... Në nji moment të caktuem, ndjeva çizmet e lustrueme të oficerit (N.K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej në nji mënyrë të çuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve do të vinte tortura me korent. Normalisht ishte krejt e pamundun që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve që ishin në të hymen kryesore të shtëpisë: ishin shumë larg. Mandej, po t’ishte ashtu, pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. Sidokjoftë, të dridhunat e mija i ranë në sy rojes. M’u avit e më tha: “Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh!”Pak mâ vonë, nuk m’erdh fare çudi kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme.“Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Është më mirë të flasësh, do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra që nuk i përulim. Këtu jemi e me gjithfarë mjetesh. Fol!”Ndërsa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC: “Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik...”, takimi atje nalt në zyrë kur më tha: “Dorëzoji, e sheh si jam”, Paulini i gjatë..., Guljemi në raft..., ai mirditori në vorr... O Zot më shpëto!Ulkoja dhe bijt e vetLetërsi 333

