Page 423 - Demo
P. 423
“Floçka”“Floçka” është një tregim tjetër i konceptuar brenda motivit të dashurisë. Në fakt, studiuesit e shohin si një tregim që i kushtohet ëndrrës për dashurinë e lirinë, si dhe sakrificave për këto të dyja të lidhura me njëra-tjetrën. Në tekst na paraqitet rrugëtimi i “Ai-së” për të gjetur Floçkën, të bukurën e liqenit (subjekt i njohur i përrallës sonë), të cilën e kishte parë në ëndërr. Koha dhe përjetimi i përrallës me atë të ëndrrës ndërthuren me njëra-tjetrën. Në tekst përsëritet vazhdimisht refreni: e kishte parë në ëndërr; i kishte dëftuar në ëndërr etj., duke na e dhënë këtë udhëtim gati-gati si halucinacion. Gjithë ky udhëtim kalon përmes vështirësish e sakrificash të jashtëzakonshme, të cilat jepen me skema simbolike të dallueshme. Kujtojmë këtu flamurin e ri me një kryq të thyer, poshtë të cilit qen të egër po shqyejnë prenë e tyre, ndërsa sipër sillen korbat kobndjellës. Simbolet janë të dukshme dhe, duke u lidhur njëra me tjetrën, deshifrojnë alegorinë: flamuri - liria; kryqi i thyer në të - kufizimi, pengesa, e kundërta e saj; skena e qenve që shqyejnë prenë - rreziku vdekjeprurës aq i afërt dhe më pas real, pasi këta qen e ndjekin deri në vdekje “Ai-në”; korbat - simbol i vdekjes. Pra, liria (dhe bashkë me të edhe dashuria me simbolin e Floçkës) personifikohet si një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur (pasi fizikisht ai vdes në fund). Ajo, liria dhe dashuria, shijohet virtualisht në këtë tregim, në mënyrë përrallore, mitike (momenti kur fshati e njerëzit e tij shohin rreze drite, të cilat shkojnë pranë lisit të madh, ku qëndron i shtrirë pothuajse i vdekur “Ai” dhe ngjitet lart në qiell, i mbështjellë nga flokët e artë të Floçkës së përrallës). Pavarësisht kësaj, sakrifica për Floçkën, në të dyja kuptimet (të kërkimit të dashurisë dhe të lirisë), paraqitet plotësisht e dallueshme dhe e justifikueshme në tekst: “Ishte i kënaqur, edhe i lumtur, që kishte njohur Floçkën së paku nëpërmjet një ëndrre, Floçkën e bukur me flokë të gjatë e të dendur, që shkëlqejnë si mijëra fije të arta, të cilat në kryet e saj duken si kurorë e ndezur, si kurorë pishe e ndezur flakë, që mund të nxejë po nja gjashtë a shtatë copë fshatra e të shkrijë borën e akullin edhe atje lart, edhe atje në kreshtat e maleve”. Në këtë fragment dallohet qartë edhe shtresëzimi i përrallës (imazhi i Floçkës, përshkrimi i tipareve të saj në mënyrë hiperbolike, karakteristikë e përrallave) me atë të ëndrrës (së paku nëpërmjet një ëndrre). Edhe ky paragraf ka elemente të tjera simbolike. Kështu, krahasimi “si kurorë pishe e ndezur flakë”, apo edhe vetë ëndrra në kuadrin e gjithë tregimit, marrin vlerë simbolike, pasi drita, flaka jepen si udhërrëfyese të “Ai-së”, për të gjetur Floçkën. Po kështu, edhe kjo dëshirë e kërkuar me ngulm nga “Ai” në fund mbetet në kuadrin e ëndrrës. Ndonëse fundi real i “Ai-së” është vdekja dhe teksti shoqërohet me simbole të tjera të saj, si skena e qenve, që shqyejnë prenë dhe ndjekin “Ai-në”, apo korbat, duhet thënë se fundi nuk është fatalist. “Ai është pjesë e përrallës tashmë: Kurse nga liqeni i asaj bjeshke - thotë përralla mandej - kishte buruar diçka, që dukej si grusht drite. Dhe kishte bërë një hark të shkurtër nëpër qiell e kishte rënë pranë atij lisi qindvjeçar”. Pra, drita, simbol i Floçkës, i dashurisë, lirisë, gjithsesi u arrit. Madje, ajo mbyti edhe korbat, të keqen, vdekjen.Letërsi 421

