Page 426 - Demo
P. 426


                                    simbolet më të dallueshme në tekst janë: Kulla, Plaka, Kasapi, Unë (Djali). Prirja e parë e një lexuesi është që këto simbole t’i lexojë të vendosura në kontekstin real historik që njeh e jeton. Në këtë kontekst, Kulla do të përbënte simbolin përfaqësues të qenies shqiptare, hapësirave ku jeton ajo dhe qëndresës së saj në Kosovë e më tej. Në fakt, në këtë tekst, ajo mund të shihet edhe si simbol i përvojës e i trashëgimisë jetësore të qenies, pavarësisht origjinës së saj. Kasapi i huaj, përveçse si pushtues i huaj (i identifikueshëm realisht nga lexuesi), mund të shihet edhe me nuancat imponuese të gjithçkaje të huaj, që vjen me arrogancë dhe me brutalitet ndaj asaj që gjen. Kurse Plaka dhe Djali do të përbënin marrëdhëniet mes brezave, që nuk i përkasin vetëm një kohe të caktuar historike. Duhet thënë se, në ndryshim nga pjesa tjetër e tregimeve, te “Kulla”, simbolet që lidhen me natyrën, elementin mjedisor, janë më të shumta dhe domethënia e tyre më e deshifrueshme, sepse inkuadrohet në fusha kuptimore që u përkasin elementeve mjedisore. Kështu, Pylli është një simbol që krijon imazhin e një pushtuesi të heshtur, dredharak, që ngjitet pak nga pak e fillon e zhvillohet në trupin e Kullës, me synimin për ta shkatërruar atë: “Mirëpo, shtoj ai, jo vetëm e ka sulmue, por edhe do ta kaplojë. Shih ngado e kanë rrethue lulet. Kush mund të përshkohet nëpër to?... A e ka pa atë krekë? Do ta keshë pa nji degë të saj, që asht rrasë në pullazin e kullës. A nuk do ta çojë hava pullazin? Lene atë, shihi kulprat! Ato i kanë vesh gati të gjitha muret e kullës. Kanë fillue me hy edhe nëpër frengji... Mandej, ai rrap! Edhe nji degë e tij po don me hy ndërmjet gurëve të kullës... Çka po thue për këtë mur, që asht kulë dhe ndoshta nuk do të shkojë mueji e na do ecim nëpër galdinë”. Është e rëndësishme të theksojmë se simbolika e pyllit si pushtues, kur zakonisht në psikologjinë njerëzore ai ka domethënie pozitive të jetës, shëndetit, bukurisë, larmisë etj., nuk del gjithsesi jashtë kontekstit të Pashkut dhe teknikës së tij krijuese të inkuadruar edhe në letërsinë moderne europiane (ndikime nga e cila kemi përmendur më lart), të cilat i zhbëjnë kuptimet simbolike (konvencionet) tradicionale, duke krijuar simbolika të reja, vetjake.Vetë simboli kryesor, Kulla, simbolizon (ndër të tjera) njeriun që jeton në tokën e tij, sado që të tjerët nuk janë të gatshëm ta lënë rehat, duke iu vërsulur me të gjitha format dhe pretekstet. Ai do të mbetet aty pavarësisht shtrëngatave që do t’i afrohen e pavarësisht traumave që do të kalojë. Ky motiv jepet në mënyrë alegorike disa herë, nëpërmjet simbolit të lumit: “Edhe pse derdhet, prapëseprapë, lumi mbetet gjallë. Jeton edhe mbas valles së fundit, të cilën e luen në deltën e vet”; nëpërmjet simbolit të hënës, të alegorisë së Plakës për ndryshimin ciklik të hënës: “Por, kasap, edhe hana e han vetvedin: tash e shohim sa grima, tash e shohim sa sofra e miqve, tash duket... tash zhduket, por... gjithmonë asht në qiell...”. Është i dallueshëm në këtë fragment përpunimi poetik i tij, që ndërtohet nga fjali me të njëjtën strukturë. Veçanërisht retiçencat, që e theksojnë ritmin poetik dhe njëkohësisht ironinë e imazhin e qëndresës në të njëjtin vend.Pavarësisht se në tregimin “Kulla” shumica e skenave japin pamje me konotacion negativ në lidhje me fatin e Kullës e të njerëzve rreth saj, përsëri teksti nuk mbyllet në hermetizëm të padeshifrueshëm. Ai nuk merr as tone fataliste, po përfundon me këto fjali të shkurtra, po që reflektojnë alegori shpresëdhënëse: “Më duket se asht afrue agu. Errësina nuk asht e dendun si ma parë”.424 Letërsi
                                
   420   421   422   423   424   425   426   427   428   429   430