Page 445 - Demo
P. 445
Letërsi LETËRSIA BASHKËKOHORE SHQIPELetërsia bashkëkohore shqipe është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e atyre viteve, lanë gjurmë edhe në jetën shpirtërore të kombit. Krijuesit, që tashmë qenë çliruar nga detyrimi për të shkruar brenda një platforme ideologjike me skema e klishe, u përballën me lirinë e zgjedhjes së modelit të të shkruarit dhe lirinë e zgjedhjes së temave. Ndaj pas 1990-ës, detyra e parë që u dilte krijuesve ishte që t’i kthenin letërsisë funksionin e saj estetik. Letërsia nuk mund të shihej më si propagandë dhe as mund të shërbente për edukim moral të shoqërisë (qëllim për të cilin ishte përdorur gjatë komunizmit), por ajo duhej t’i kthehej funksionit të saj të parë: prodhimit të kënaqësisë estetike dhe vepra letrare duhej të sublimonte në art problemet dhe shqetësimet e njeriut të sapodalë nga trauma e një jete të cunguar, e shtrembëruar ideologjikisht. Shkrimtarët e kësaj periudhe u përpoqën të bënin objekt të veprave të tyre situatën komplekse në të cilën gjendej njeriu shqiptar i sapodalë nga diktatura. Ndaj në veprat e tyre, këta autorë i japin lexuesit një këndvështrim individual e të pakushtëzuar mbi natyrën dhe problemet e shoqërisë shqiptare e në mënyrë të veçantë të individit, i cili zë një vend të posaçëm në këtë letërsi. Në këtë drejtim, mund të themi se letërsia e autorëve që shkruajnë pas viteve 1990 është një çlirim i madh estetik dhe shpirtëror, është edhe një tregues i ngritjes së letërsisë shqipe, e hapur tanimë ndaj përvojave letrare që ofronte letërsia europiane e më gjerë.Temat, ku në qendër është individi me gjithë problematikën psikike, sociale, politike, që mbart; individi i zhveshur nga modeli tipik që kishte trumbetuar realizmi socialist, individi i zvetënuar e i shterur, individi në kërkim të vetes, bëhen ushqyese për krijimtarinë e shkrimtarëve të kësaj periudhe. Po ashtu, vihet re një prirje drejt temave refleksive, që trajtojnë probleme të rëndësishme ekzistenciale të njeriut të kohës, që bart dilemat e së shkuarës e pasiguritë e së tashmes. Gjithashtu, temat e trajtuara nga shkrimtarët pas viteve ’90-të lidhen patjetër me lirinë, edhe me atë të munguar, me atdheun, marrëdhënia me të cilin shfaqet si mall, si dhembje, si dashuri e çdokohshme. Ndodh largimi fizik nga atdheu, por lidhja shpirtërore me të është e përjetshme. Një tjetër temë e trajtuar nga shkrimtarët në ato vite ishte ajo e dhembjes njerëzore, individuale, ndryshe nga dhembja dhe përgjegjësia kolektive që lexohej nëpër rreshtat e letërsisë së para viteve ‘90. Marrëdhënia e krijuesve me shkrimin përshkon shtigje të tilla që e zgjojnë letërsinë nga letargjia e komunikimit linear, duke çliruar dhe duke bërë më dinamik sistemin e ngrirë të strukturave të saj, duke i hapur rrugën komunikimit shumëfunksional me lexuesin. Në letërsinë shqipe që zhvillohet në Kosovë, problematikat shfaqen sa në marrëdhënien me individualen aq edhe me kolektive, për arsye të kushteve socio-politike në të cilat ndodhej. Sipas studiuesit Nysret Krasniqi: “Letërsia e Kosovës si pjesë e pandarë e letërsisë nacionale, por e kushtëzuar historikisht nga rrethanat e veçimit brenda llojit, tashmë kap traditën vetjake njëshekullore. E nisur si emancipim kulturor, pastaj me elemente të poetikës sociale dhe ideologjike, letërsia shqipe në Kosovë forcon e sforcon modernitetin në të gjitha format letrare, zhvillon kritikën dhe studimet e fuqishme letrare, për ta përjetuar edhe aventurën postmoderne në nisjen e viteve 90-të të shekullit të kaluar”Letërsi 443

