Page 451 - Demo
P. 451
Dikush trokiti lehtë në derë. Vetvetiu, inspektori Nevil Bardhi, një burrë i ri rreth të tridhjetave thirri “hyr”, në pritje që dera të hapej. Mirëpo dera nuk u hap. Pas pak trokitja u përsërit, kësaj here disi më fort, çka e bëri të mendonte se dikushi s’kishte dëgjuar gjë. Për arsye sigurie, siç e kërkonin rregullat, dera e zyrës së tij, si shumica e dyerve të tjera të zyrave të asaj godine trekatëshe, një vilë e stilit të vjetër - dikur pronë e një ish-oficeri të lartë të ushtrisë mbretërore, me çati gotike, ndërtuar qysh përpara Luftës së Dytë Botërore të shekullit të kaluar, ishte e veshur nga brenda me një shtresë speciale, që edhe nëse vije veshin prapa saj, të mos dëgjoje asgjë ç’bëhej aty. Ky modifikim i dyerve kishte ndodhur rreth njëzet vjet të shkuar, kur në mjediset e godinës, me destinacione nga më të ndryshmet në kohëra të ndryshme, ishte vendosur përfundimisht ajo që njihej si Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve të Rënda (DPKR).Zoti Bardhi, i diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ulej në atë zyrë prej pesë vjetësh, praktikisht me të përfunduar studimet. Ky fakt, domethënë diplomimi në një shkencë si matematika, në përputhje me një traditë shumëvjeçare të institucionit, kishte luajtur një rol jo të vogël që, qyshkur ishte student, ai të projektohej nga përzgjedhësit e zyrës së personelit si një kandidat i mundshëm për t’u rekrutuar. Kishin luajtur një rol jo të vogël edhe rrethana të tjera, disi më specifike, që pasqyroheshin hollësisht në dosjen e hapur për të nga zyra e plotfuqishme e rekrutimit.Nëse do t’i krijohej mundësia t’i hidhte një sy kësaj dosjeje, inspektori Bardhi do të pësonte një zhgënjim të hidhur. Jo, sepse aty gjendeshin gjëra të pavërteta, shpifje e të tjera të kësaj natyre, përkundrazi. Gjithçka thuhej në atë dosje rreth tij ishte e saktë, për arsyen e thjeshtë se përpiluesi kërkonte nga informatorët vetëm të dhëna të vërteta. Por ai nuk do t’ia falte vetes faktin që, për vite me radhë në fakultet, paskej qenë i vëzhguar, në njëfarë mënyre i spiunuar……Pas trokitjes së dytë, më e fortë se e para, inspektori e la tryezën dhe vajti drejt derës. Gjëja e parë që i ra në sy: një zarf i formatit të madh, në ngjyrë kafe, i lënë nën derë. Vetvetiu vështroi në të dyja anët e korridorit; personi që kishte trokitur ishte zhdukur. Atëherë ai u përkul, mori zarfin, mbi të cilin ishte shkruar me shkronja kapitale “Zotit Nevil Bardhi”, dhe u kthye pranë tryezës së punës, ku një copë herë mbeti në mëdyshje, pa e vendosur nëse duhej ta hapte zarfin, megjithëse dukej qartë, marrësi nuk mund të ishte askush tjetër përveç atij vetë. Mirëpo në këtë mes diçka nuk shkonte.E pamundur që dërguesi të vinte nga jashtë, në hyrje të godinës një polic vigjilonte në një kabinë, ku depozitohej çdo korrespondencë, pa lejuar askënd të futej në institucion. Përndryshe i duhej të pranonte se prurësi duhej të ishte ndonjë person i brendshëm e kjo vetvetiu ngrinte pikëpyetje. Sepse, ç’ishte nevoja ta linte zarfin tinëzisht poshtë derës e të zhdukej?Më në fund ai e vendosi, hapi zarfin…ILUSTRIM LETRARF. KongoliMisteri i MjellmësLetërsi 449

