Page 48 - Demo
P. 48
njerëzore. Këto tema janë trajtuar edhe në krijimtarinë e shumë autorëve të tjerë modernistë, bashkëkohës të Kafkës, si Prusti e Xhojsi. Kështu, Marsel Prusti, vetminë dhe tëhuajzimin i ka temë qendrore në të gjitha krijimet që përbëjnë ciklin e romaneve “Në kërkim të kohës së humbur”. Prej vetmisë dhe tëhuajzimit nga mjedisi dhe shoqëria, personazhi detyrohet të gjejë strehë në kujtimet e së kaluarës. Në veprën e tij, nëpërmjet magjisë së kujtesës, ai arrin të shkëputet nga realiteti dhe të hidhet në botën e përjetimeve të së shkuarës. Janë detajet ato që e bëjnë të rijetojë pjesë të një kohe tjetër. Edhe Xhejms Xhojsi te “Dublinasit” (1916), por sidomos tek “Uliksi” (1922), rrëfen aventurat që e shpien njeriun modern në kufijtë e tjetërsimit. “Dublinasit” është cilësuar si metaforë e paralizës ekzistenciale të njeriut modern. Duke rikrijuar jetën e Dublinit - të dashur dhe të urryer njëherazi prej tij - Xhojsi portretizoi jo vetëm fytyrën morale të qytetit, por edhe gjendjen e paralizës së botës dhe të njeriut modern. Struktura e pesëmbëdhjetë tregimeve që përmblidhen te “Dublinasit” duket realiste; përshkrimet e mjediseve, personazhet dhe situatat jepen me imtësi dhe me një saktësi të çuditshme, ndërkohë që stili është neutral e i pangjyrë dhe nuk i tradhton emocionet. Po ashtu, edhe toni është i njëtrajtshëm. Këto personazhe të përditshme, këto ngjarje të zakonshme dhe këta mekanizma psikologjikë të çmontuar me ftohtësi bëhen simbole dhe emblema të një gjendjeje ekzistenciale. Kjo gjendje reflekton situatën në të cilën ndodhet njeriu modern, i helmuar nga paaftësia e tij për të vepruar dhe i paralizuar nga institucionet e veta (familje, atdhe, fe).ILUSTRIME LETRAREM. PrustiMarsel PrustLumturi arratisëse(Nën hijen e vashëzave të lulëzuara)Sapo më kishte zënë syri, jashtë udhës me gunga që po ndiqnim, tri pemë që duhet t’i shërbenin si hyrje një rrugine të mbuluar dhe që formonin një vizatim, të cilin nuk e shihja për herë të parë, nuk arrija dot të sillja ndër mend vendin nga i cili ngjanin sikur qenë shkëputur, por e ndieja se dikur e kisha pasur të afërt atë vend; kështu që shpirti im u përplas pas një viti të largët dhe çastit që po jetoja, dhe rrethinat e Balbec-ut u lëkundën dhe unë nisa të dyshoja se ajo shëtitje qe një hamendësim, se Balbec-u vetë ish një vend ku kisha shkuar vetëm me anë të imagjinatës sime, se zonja de Villeparisis qe një personazh romani, ndërsa tri pemët, realiteti që gjen kur ngre sytë nga libri në të cilin po lexoje përshkrimin e një vendi ku besoje se ndodheshe vërtet. Vështroja tri pemët, i shihja mirë, por shpirti im ndiente se ato fshihnin diçka ku ai nuk hynte dot, tamam si ato objektet që ndodhen shumë larg dhe gishtërinjtë tanë të zgjatur në fund të krahut të nderë, çikin hera-herës vetëm mbulesën e tyre, pa arritur të kapin gjësend. Atëherë pushojmë një grimë që të marrim vrull dhe ta shtrijmë krahun më fort, për të arritur më larg. Por që shpirti im të përmblidhej, të merrte vrull, më duhej të isha vetëm. Sa do të doja të përvidhesha, siç bëja për t’iu shmangur prindërve, kur dilnim shëtitje andej nga Guermentes-t. “Në kërkim të kohës së humbur”, përktheu M. Meksi46 Letërsi

