Page 5 - Demo
P. 5


                                    HYRJETeksti “Gjuha shqipe dhe letërsia 12” është mbështetur mbi kërkesat e parashtruara në programin e paraqitur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. Përmbajtja e tij përfshihet në fushën kurrikulare Gjuhët dhe komunikimi. Ky libër është hartuar për Gjimnazin e Shkencave Shoqërore dhe Gjuhësore, si dhe për Gjimnazin e Shkencave Natyrore.Teksti “Gjuha shqipe dhe letërsia 12”, nëpërmjet njohurive që përmban, parashikon thellimin e njohurive gjuhësore, letrare dhe kulturore të fituara më parë. Synimi parësor i tij është dhënia e njohurive të plota të përdorimit të strukturës së gjuhës shqipe në kontekstet letrare dhe joletrare. Ky tekst i ndihmon nxënësit në formimin individual, duke u dhënë mundësi të zgjerojnë njohuritë historike të hapësirës kulturore, letrare e gjuhësore. Përmes kësaj, nxitet aftësimi në përdorimin e gjuhës shqipe me qëllim strukturimin më të mirë të mendimeve, gjykimeve dhe aftësive të tyre krijuese. Niveli i përvetësimit të shkathtësive të komunikimit (të dëgjuarit, të lexuarit, të folurit, dhe të shkruarit) zhvillohet sipas kërkesave të klasës, shkallës dhe nivelit.Teksti është ndërtuar në bazë të parimit të integrimit (të sugjeruar edhe nga Programi i MASHTK), parim i cili shtrihet në dy linja:● integrimi i gjuhës me letërsinë, në mënyrë të tillë që të dyja lëndët t’i shërbejnë njëra-tjetrës në formimin e individit si përdorues korrekt i gjuhës shqipe, njohës i mirë i letërsisë shqipe dhe asaj të huaj, pra një individ i pajisur me kompetenca më të gjera kulturore, historike e filozofike. integrimi i fushave të ndryshme të komunikimit, si: integrimi i artit letrar me atë pamor, integrimi i komunikimit me gjuhën shqipe, i shkencës me gjuhën e letërsinë etj. Teksti mund të përdoret edhe si dy tekste më vete: gjuha dhe letërsia. Mësimet e letërsisë janë mbështetur në metodën analitike të trajtimit të koncepteve, shtjellimin e tyre të argumentuar me fragmente nga veprat dhe më pas, sintetizimin e materialit me pyetje referuese. Fragmentet janë zgjedhur nga veprat më përfaqësuese të autorëve të sugjeruar nga programi. Tekstet e gjuhës janë mbështetur në prurjet më të fundit të gjuhësisë shqiptare dhe asaj bashkëkohore. Tekstet demonstruese janë përzgjedhur nga veprat më të mira të autorëve shqiptarë e të huaj. Çdo mësim teorik gjuhe është pasuar nga mësimi praktik i përdorimit të njohurive të marra teorikisht. Në këtë kontekst, mësimet janë hartuar sipas një aparati pedagogjik mjaft origjinal, të realizuar si rezultat i konsultimit me tekste bashkëkohore të të njëjtit nivel në arsimin europian dhe si rrjedhim i shfrytëzimit të përvojës së autorëve të huaj në këtë fushë. Aparati, gjithashtu, ndërthur katër fushat e orientimit të programit: të dëgjuarit, të lexuarit, të folurit dhe të shkruarit:1. Në shtjellimin e programit është shfrytëzuar metoda përshkruese dhe analizuese, në kuadër të integrimit të njohurive. Kjo do të thotë se temat e gjuhës janë shtjelluar dhe renditur në funksion të analizës së temave të letërsisë. 2. Aparati pedagogjik është ndërtuar mbi bazën e një logjike spirale, e cila parashikon që rubrikat të vijnë sipas një vijimësie logjike analize, duke u rimarrë nga rubrika pasardhëse dhe duke e deshifruar dhe duke shtuar anë të reja në kuadrin e analizës.Për temat teorike gjuhësore, nën emërtimin e një rubrike të madhe Studim teksti, janë parashikuar këto nënrubrika shtjelluese:3
                                
   1   2   3   4   5   6   7   8   9   10