Page 53 - Demo
P. 53


                                    Para ligjit qëndron një rojtar. Te ky rojtar vjen një fshatar dhe i lutet që të hyjë te ligji. Por rojtari i thotë se nuk mund ta lejojë të hyjë tani. Fshatari mendohet një çast, pastaj pyet nëse do t’i lejohet të hyjë më vonë. “Mundet, - thotë rojtari, - por jo tani.” Meqë porta për te ligji rri si gjithmonë e hapur dhe rojtari bën mënjanë, tjetri përkulet për të parë brenda përmes portës. Kur e vë re këtë gjë rojtari, buzëqesh dhe thotë: “Meqë po të josh kaq shumë, provoje njëherë të hysh, megjithëse unë të ndaloj. Vetëm ki parasysh: unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam veç rojtari i shkallës më të ulët. Sepse nga njëra sallë në tjetrën ndodhen rojtarë që janë njëri më i fuqishëm se tjetri. Jo më të tjerë, por edhe unë nuk mund ta duroj as pamjen e të tretit”. Fshatari nuk i kishte pritur këto vështirësi; ligji duhet të jetë i hapur gjithmonë e për të gjithë, mendon ai, po kur e vështron tani më me kujdes rojtarin me qyrkun e tij, hundën e madhe me majuc, mjekrën e gjatë, të hollë e të zezë prej tartari, ai vendos më mirë që të presë, derisa t’i japin leje të hyjë. Rojtari i jep një fron të vogël dhe e lë të ulet anash, para portës. Aty rri ulur ai përditë e për vite të tëra. Bën shumë orvatje që ta lënë të hyjë, e lodh rojtarin me lutjet e tij. Rojtari herë pas here e merr në pyetje, e pyet për vendin e tij e për shumë të tjera, por ato janë pyetje indiferente, siç i bëjnë zotërinjtë e mëdhenj, e në fund i thotë po një gjë, se nuk mund ta lejojë të hyjë. Fshatari që ka marrë gjithfarë gjërash për udhëtimin e tij, i harxhon ato të tëra, edhe ato më të vyerat, për ta korruptuar rojtarin. Ky vërtet i pranon, por edhe i thotë: “Po i pranoj vetëm që mos të të ngelë peng ndonjë gjë.” Në ato vite të shumta, fshatari e vështron rojtarin thuajse pa ndërprerje. Ai i harron rojtarët e tjerë e veç ky i pari i duket e vetmja pengesë për të hyrë te ligji. Mallkon rastësinë fatkeqe, gjatë viteve të para, pa druajtje e me zë të lartë, por më vonë, teksa plaket, vetëm sa hungëron me vete. Bëhet si fëmijë e ngaqë duke e vrojtuar rojtarin në gjithë këto vite, i ka vënë re edhe pleshtat në jakën prej gëzofi, fillon e u lutet pleshtave që t’ia ndërrojnë mendjen rojtarit. Tekefundit, i dobësohet drita e syve dhe nuk di nëse vërtet po erret tani rreth e përqark apo nëse janë sytë e tij që e gënjejnë. Mirëpo, në këtë errësirë dallon befas një vezullim, që shpërthen i pashuar nga porta e ligjit. Tani nuk i ka mbetur shumë për të jetuar. Përpara se të vdesë, vijnë e i mblidhen në kokë përvojat e gjithë kësaj kohe, në një pyetje të vetme, të cilën deri më tani ende nuk ia ka bërë rojtarit. I bën shenjë me dorë atij, pasi nuk mundet ta drejtojë dot më trupin e vet në ngërç. Rojtarit i duhet të përkulet fort, ngaqë dallimi në lartësi ka ndryshuar shumë në dëm të fshatarit. “Ç’kërkon të marrësh vesh tani? – pyet rojtari. – Paske qenë i pangopur.” “Si ka mundësi, të gjithë lakmojnë të hyjnë te ligji, – i thotë fshatari, – mirëpo në gjithë këto vite, askush nuk ka kërkuar të hyjë këtu përveç meje.” Rojtari e kupton se tjetrit i ka ardhur fundi e për të arritur zëri deri te veshi i tij, i ulërin: “Po këtu nuk mund të hynte askush tjetër, pasi kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Tani po shkoj që ta mbyll”.Përktheu: A. KlosiILUSTRIM LETRARF. KafkaPara ligjitLetërsi 51
                                
   47   48   49   50   51   52   53   54   55   56   57