Page 5 - Demo
P. 5


                                    Hyrje Lënda e “Artit figurativ 6” i ndihmon nxënësit të nxjerrin në dukje kreativitetin e tyre dhe të zhvillojnë imagjinatën. Nëpërmjet artit, ata kanë mundësi të zbulojnë fuqinë e fantazisë së tyre, duke shprehur ide dhe duke rritur aftësitë krijuese. Arti figurativ u mëson nxënësve të eksplorojnë të bukurën në natyrë dhe në mjedisin që i rrethon, si dhe u krijon hapësirën e duhur për të shprehur lirshëm ndjesitë e tyre.Arti figurativ i ndihmon nxënësit të përmirësojnë performancën edhe në lëndët e tjera, duke zhvilluar dhe përmirësuar aftësitë e të nxënit nëpërmjet praktikimit të teknikave artistike. Nëpërmjet artit figurativ, ata u japin formë ndjenjave, ëndrrave dhe fantazisë. Krijimi në artin pamor i bën të ndihen mirë dhe i motivon për të ecur përpara në kërkimet e tyre artistike. Në këtë libër, nxënësit do t’u referohen shpeshherë veprave të artistëve të njohur, çka i ndihmon të zgjerojnë njohuritë rreth artit figurativ. Edukimi nëpërmjet artit figurativ i ndihmon ata të shohin dhe analizojnë vepra të njohura të artit, punimet e tyre dhe të shokëve e shoqeve të klasës. Në këtë mënyrë, nxënësit zhvillojnë aftësitë për të vlerësuar krijimet artistike. 
                                
   1   2   3   4   5   6   7   8   9   10