Page 9 - Demo
P. 9
7Kështu, p.sh., gjatë zhvillimit të reaksioneve kimike, ne duhet të përdorim matematikën për të llogaritur saktë masat e substancave kimike që marrin pjesë në reaksion. Në shumë raste, ndryshimet fizike të substancave kimike ndodhin si në natyrë, ashtu edhe në organizmat bimorë apo shtazorë. Kjo lidhshmëri e lëndëve të ndryshme ka bërë që zbulimet e reja të kenë ndikim shumë të madh në degë të ndryshme të industrisë, të mjekësisë, të bujqësisë etj. Për shembull, zbulimet e materialeve polimere bëjnë që tashmë, këto materiale të zëvendësojnë metale të ndryshme, barnat e reja mbrojnë dhe shërojnë njerëzit, kafshët dhe bimët nga shumë sëmundje të rrezikshme etj.Zhvillimi historik i kimisë si shkencë natyrore Kimia është e lashtë sa edhe vetë jeta e njeriut, sepse për plotësimin e nevojave të tyre njerëzit zbuluan substanca kimike dhe procese të ndryshme, të cilat ndikuan në rritjen e cilësisë së jetës. Me zbulimin e zjarrit, njerëzit e asaj kohe filluan të konsumojnë ushqime të ziera dhe të pjekura (fig.1.3). Të dhëna të ndryshme dëshmojnë se qysh nga civilizimet e hershme (shumë shekuj para erës sonë) është njohur: përpunimi i metaleve nga xehet e ndryshme dhe prodhimi i aliazheve nga metalet, përpunimi i qeramikës dhe i qelqit, ekstraktimi i ilaçeve dhe parfumeve nga bimët, shndërrimi i yndyrës në sapun etj. Emri kimi është përdorur për herë të parë në Egjipt ku fjala “khem” përdorej për të treguar emrin e Egjiptit dhe të zejeve që ishin zhvilluar në atë kohë në Egjipt. Më vonë, me zeje filluan të merren arabët dhe për këto zeje u përdor termi “alkimi”. Alkimia u zhvillua në mesjetë në Europë dhe synonte shndërrimin e metaleve të ndryshme në ar (flori), por edhe gjetjen e ilaçeve apo të “eliksirit jetësor” për ta bërë njeriun të pavdekshëm. Alkimistët nuk e kishin edhe aq të zhvilluar eksperimentin dhe vrojtimin e interpretonin më së shumti në aspektin filozofik (fig.1.4). Në shekujt XVII dhe XVIII, kimistët i bënin hulumtimet e tyre me eksperimente të organizuara mirë. Si rezultat, ata zbuluan shumë ligje themelore të natyrës, të cilat ndikuan në zhvillimin e hovshëm të kimisë. Fillimet e kimisë si shkencë e vërtetë datojnë nga koha e zbulimit të ligjit të ruajtjes së masës nga kimisti francez Antuan Lavuazier (Antoine Lavoisier) (fig.1.5).Fig. 1.3 Zbulimi i zjarritFig. 1.4 Alkimisti duke zhvilluar eksperimente Fig. 1.5 Antuan Lavuazier (1743-1794) konsiderohet “babai i kimisë moderne”

