Page 7 - Demo
P. 7
Hyrje Libri “Teknologji me TIK 7” përmban 8 tematika mësimore, të cilat synojë të zhvillojnë te nxënësit njohuri, aftësi dhe qëndrime që do t’u shërbejnë gjatë gjithë jetës. Libri është i pajisur me informacione që u vijnë në ndihmë nxënësve të zhvillohen, me aktivitete mësimore që nxitin ndërveprimin, si dhe me detyra përmes së cilave synohet që ata të vënë në praktikë aftësitë e përftuara. Nxënësit do të mësojnë të hulumtojnë e të krijojnë, të zhvillojnë aktivitete praktike në fushën e teknologjisë. Ata do të udhëzohen si të përdorin në mënyrë cilësore burimet e informacionit për të hartuar planin e zhvillimit të karrierës; si të qëndrojnë në kontakt me risitë që vijnë nga tregu i punës, kur flitet për profesionet më të kërkuara. Nëpërmjet aktiviteteve konkrete, nxënësit do të vihen në kontakt me kompani të ndryshme punësimi, për të kuptuar se ku dallon profesioni nga karriera, apo si lidhen aftësitë/njohuritë dhe kompetencat që zotërojnë, me profesionin që do të zgjedhin në të ardhmen. Fitimi i autonomisë dhe hulumtimi kanë si synim të zhvillojnë te nxënësit aftësitë vendimmarrëse për sa i përket karrierës së tyre.Ata do të mësojnë të krijojnë projekte të ndryshme në programe dizajni në format digjital, si dhe do të analizojnë përdorimin e programeve me objekte të gatshme. Nxënësit do të njihen jo vetëm me mjetet e punës që përdoren në jetën e përditshme, por edhe me ato të botës virtuale. Ata do të zhvillojnë koncepte të rëndësishme, të cilat lidhen me: këshillimin dhe orientimin në karrierë; punën dhe edukimin për ndërmarrësi; edukimin për zhvillim të qëndrueshëm.

