Page 157 - Demo
P. 157
Kontinenti i AmerikësNuk mund të shfrytëzonin hapësira të përbashkëta publike, madje edhe private, me të bardhët. Gjithashtu, afroamerikanët nuk kishin të drejtë të zgjidheshin në organet administrative apo shtetërore. Mirëpo, pas protestave të organizuara në SHBA dhe vende të tjera, dhe nxjerrjes së ligjit për të drejta të barabarta që i pasoi këto protesta, statusi i tyre shoqëror nisi të përmirësohej. Sot, ky grup merr pjesë aktivisht në jetën publike në SHBA.Në fund të shekullit XIX, në pjesën perëndimore të SHBA-së migruan aziatikët, si: kinezët, japonezët, koreanët etj. Sot, ky grup përbën rreth 3% të popullsisë në SHBA. Pasuritë natyrore dhe zhvillimi ekonomikEkonomia e SHBA-së njohu një rritje shumë të shpejtë dhe të lartë brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore. Këtë zhvillim e mundësuan një numër i konsiderueshëm faktorësh, si: pozita e favorshme gjeografike, pasuritë natyrore, zhvillimi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore larg territorit të SHBA-së, avancimi i shkencës dhe i teknologjisë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe e specializuar etj.Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pasura me burime energjetike, si për shembull, qymyri (e treta në botë pas Kinës dhe Indisë) që gjenden kryesisht në Pensilvani, në rajonin e Apalasheve, si dhe në rajonin qendror. Në këto rajone shfrytëzohen linjiti dhe thëngjilli i koksit. Ka mjaft rezerva të gazit natyror dhe naftës, që nxirren kryesisht në Alaskë, në Gjirin e Meksikës dhe në disa rajone të brendshme të vendit (Kaliforni, Kanzas, Miçigan, Misuri, Ilinoi etj.). Për sa u përket rezervave të “arit të zi”, shteti zë vendin e dytë në botë.Ka pasuri në hekur, që nxirren kryesisht në Miçigan dhe Minesotë. Ndër mineralet e tjera, vlen të përmendet bakri, për nxjerrjen e të cilit vendi renditet i dyti në botë.SHBA-ja renditet në vendin e dytë për sa u përket minierave të argjendit dhe të arit. Bazuar në pasuritë e shumta, SHBA-ja është ndër vendet që kanë industrinë më të zhvilluar në botë. SHBA-ja njihet për risi të lartë në teknologji dhe është prodhuesi industrial i dytë më i madh në botë në këtë fushë. Degët më të zhvilluara të industrisë janë: prodhimi i makinave agroteknike, elektroindustria, i makinerive elektrike, prodhimi i makinave, tekstileve, lëkurës, përpunimi i metaleve, ushqimit dhe pijeve, duhanit, mobilieve, industria kimike, prodhimi i avionëve, anijeve, trenave, mjeteve kozmike etj. Në këto rajone janë zhvilluar edhe qendrat më të njohura industriale, si: Nju Jorku, Filadelfia, Çikago, Miçigani, Uashingtoni, Los-Anxhelosi, San-Francisko etj.BujqësiaNë SHBA bujqësia është mjaft e zhvilluar, edhe pse me këtë veprimtari ekonomike merret rreth 2% të popullsisë. Bujqësia është intensive dhe karakterizohet nga një shkallë e lartë e mekanizimit, fuqi punëtore të kualifikuar, përdorim i farërave cilësore, plehrave kimike, kanaleve për ujitje dhe ka prodhimtari të lartë e cilësore. SHBA-ja, në shumë prodhime bujqësore, renditet ndër vendet e para në botë. Dallohet për prodhimin e grurit, elbit, misrit, sojës, farave të vajit, pambukut, frutave, perimeve etj. Zë vendin tretë në botë për prodhimin e grurit, pas Kinës dhe Indisë dhe vendin e parë për prodhimin e misrit. Në Ultësirën Qendrore dhe rreth Liqeneve të Mëdha kultivohen misri dhe gruri. Në zonën jugore kultivohen pambuku, kallamsheqeri dhe duhani, ndërsa në zonën e bregdetit të oqeanit Paqësore kultivohen pemët dhe frutat.6 Minierë sipërfaqësore ari, Karlin, Nevada7 Bujqësia intensive në SHBA155

