Page 82 - Demo
P. 82


                                    2KONTINENTI I AFRIKËS Në këtë kontinent, trajtohen në mënyrë të përmbledhur karakteristikat e përgjithshme natyrore dhe socio-ekonomike në nivel kontinenti, rajoni dhe në nivel global.  Afrika veçohet me kontraste të shumta në reliev, klimë, hidrografi, biodiversitet të llojllojshëm, si dhe specifika të shumta demografike, kulturoro-historike, sociale, ekonomike e politike. Ky kontinent është pjesë e botës së vjetër bashkë me Azinë dhe Evropën. Njihet për nga dallimet e shumta, sidomos në aspektin shoqëror dhe ekonomik. Veçohet me llojllojshmëri etnike, gjuhësore, fetare, si dhe diferencim shumë të madh në zhvillimin ekonomik mes rajoneve apo shteteve të këtij kontinenti. Përkundër pasurive të shumta dhe të llojllojshme natyrore që ka Afrika, shkalla e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik është shumë e ulët. Kjo mospërputhje mes pasurive të shumta natyrore dhe shkallës së ulët të zhvillimit është si pasojë e kolonizimit të gjatë evropian, nivelit të ulët të arsimimit, shëndetësisë, konflikteve të shumta etnike, paqëndrueshmërisë politike etj. Përmes këtyre përmbajtjeve mësimore, nxënësi/ja synon t’i arrijë rezultatet e të nxënit që janë të përcaktuara. Ai/ajo do të jetë në gjendje të dijë, njohë, përshkruajë dhe bëjë krahasime, dallime të ndryshme, të gjykojë, analizojë, vlerësojë e interpretojë të gjitha proceset, qofshin ato natyrore apo socio-ekonomike, kulturoro-historike e politike. Bazuar në rezultatet e të nxënit, kontinenti i Afrikës është përmbledhur në 14 njësi mësimore, ndarë në pesë rajone që trajtohen në kuadër të këtij kontinenti.
                                
   76   77   78   79   80   81   82   83   84   85   86