Page 231 - Demo
P. 231
Vini re:Fjala në vetvete nuk mbart ndonjë funksion sintaksor, por e fiton atë falë lidhjes që realizon me fjalën drejtuese.Për shembull, i njëjti emër, mund të shprehet në forma të ndryshme dhe të ketë funksione të ndryshme në fjali, në varësi të lidhjes që ka me fjalën drejtuese të tij. Vëreni me kujdes përdorimin e fjalës mal në fjalitë e mëposhtme.Diskutoni rreth pyetjeve: Ç’funksione sintaksore kryen fjala mal?Kush ia cakton këtë funksion? A del ajo si fjalë e varur apo drejtuese?Argumentoni përgjigjet tuaja.a) Malet, gjithnjë kanë një hije të rëndë prej murgu.b) Malet i njoh mirë.c) Maleve po shkrin bora.d) Maleve nuk mund t’ua zësh diellin.e) Zogjtë e maleve nuk i tremb asgjë.Në fjalitë a) dhe b), fjala mal përdoret në të njëjtën formë, “malet”, megjithatë nuk ka të njëjtin funksion sintaksor, sepse marrëdhënia që krijon me kallëzuesin është e ndryshme. Këtë na e bën më të qartë edhe pyetja që drejton kallëzuesi: Cilat kanë hije të rëndë? - Malet (kryefjalë).Kë/çfarë njoh mirë? - Malet (kundrinor i drejtë).Në fjalitë c) dhe d), fjala mal përdoret në formën “maleve” dhe ka si fjalë drejtuese kallëzuesin. Ky i fundit i shënon përkatësisht rolin e rrethanorit (c) dhe atë të kundrinorit të zhdrejtë (d):Ku po shkrin bora? - Maleve (rrethanor vendi)Kujt nuk mund t’ia zësh diellin? - Maleve (kundrinor i zhdrejtë)Vetëm në fjalinë e fundit (e), fjala mal nuk lidhet drejtpërdrejt me kallëzuesin, por ka si fjalë drejtuese një emër, që shërben si kundrinor “zogjtë e maleve”. Edhe pse fjala “e maleve” është pranë kallëzuesit, mes tyre nuk ka lidhje sintaksore. Në fakt, kallëzuesi nuk mund të drejtojë asnjë pyetje që t’i përgjigjet përcaktori “e maleve”, sepse ky përcaktor ka fjalë drejtuese kundrinorin: ç’zogj? - zogjtë e maleve. Vini re:Secila prej këtyre gjymtyrëve të shprehura me emrin mal, kryefjala, kundrinori i drejtë, kundrinori i zhdrejtë dhe rrethanori mund të zgjerohen me fjalë të tjera, kryesisht me vlerë përcaktore. Provoni të zgjeroni me fjalë apo grupe fjalësh këto gjymtyrë dhe analizoni rendin e tyre në fjali.Sintaksë229

