Page 79 - Demo
P. 79


                                    – Ja edhe një eksperiment tjetër! – vazhdoi Partini. – I ngjeshën në kokë lakuriqit një kësulë letre dhe e lëshuan në pyllin e dendur, përfundimi qe tragjik: kafsha u përplas në një dru dhe ra pa frymë përtokë. Por, kur hapën në kësulë tri vrima, një te goja e dy te veshët, fluturoi si mos më mirë, pa u përplasur jo më në trungje, por as në degët e holla. – E ç’del nga kjo?– Del që në orientimin e lakuriqit lozin rol organet e zërit dhe të dëgjimit. Pra, gjatë fluturimit, lakuriqi lëshon me gojë disa tinguj të veçantë. Këta shkojnë përpara, përplasen në pengesa dhe kthehen me shpejtësi te veshi i kafshës. Ajo merr dijeni mbi largësinë e sendit dhe, po të jetë nevoja, ndryshon drejtimin që të mos përplaset me të. – Të lumtë! – tha komandant Ylli, sikur të kishte vlerësuar si mësuesit e qëmotit “ulu në vend, dhjetë!” – Pikërisht këtë çudi shfrytëzon nëndhesja jonë për të mos u rrëzuar në hone. Këtë herë u habita: Ja ç’na doli! Siç fluturuaka në natën xëc lakuriqi, ashtu “fluturuaka” edhe nëndhesja. Po ku i kishte ajo gojën, veshët? Ç’mrekulli të tjera do të dëgjoja?! – Çudinë e tingujve të lakuriqit të natës i ka studiuar në mënyrë të përkryer bionika.– Ëhë, e njohim këtë gruan shkencëtare, – bëri shaka Partini. – Kemi mësuar në shkollë se bionika ndërton pajisje, aparate dhe mjete të nevojshme për njeriun, duke kopjuar nga natyra. Studion, fjala vjen, delfinin, për të ndërtuar nëndetëse. Shkurt, ia rrëmben “patentat e gjalla” natyrës. – Po, bukur e the, ashtu është. Kjo shkencë e veçantë, që lindi para njëqind e tridhjetë vjetësh, na ka dhënë një ndihmesë të çmuar në teknikat e ndërtimit të automjeteve. – M’u bë koka dhallë! – u ankova unë. – Sikur e kishim fjalën te tingujt e lakuriqit të natës. – Po, ke të drejtë! – vazhdoi shpjegimin e lënë përgjysmë komandant Ylli. – Tingujt e veçantë që lëshon lakuriqi i natës, janë të pakapshëm nga ne, nuk mund t’i dëgjojë veshi i njeriut, ndaj i quajmë ultratinguj. Të tillë zëra të mprehtë lëshon edhe mushkonja, edhe balena, a ku ta di unë. –Dhe ju i keni zbatuar në nëndhese këto? – Po, Arbin. Sipas këshillave të bionikës, kemi ndërtuar një aparat valësh sizmike. I shkaktojmë ato në një drejtim të caktuar përpara. Valët vrapojnë nëpër dhe, derisa hasin në pengesë. Ose, kur anija udhëton nëpër një masiv shkëmbor, valët vrapojnë përpara, duke bërë 3500-6000 metra në sekondë, derisa ndeshin në kufirin e fundmë të shkëmbit, pas të cilit fillon ajri, humnera. Proza fantastiko-shkencoreNë prozën fantastiko-shkencore shkrimtarët gërshetojnë elementet realiste me ato fantastike e shkencore: personazhet, ngjarjet dhe vendet reale me ato të krijuara nga fantazia e autorit. Në këtë lloj letrar, autorët na sjellin pranë dhe na e bëjnë të besueshme një kohë të imagjinuar, të ardhmen e largët, shumë më të zhvilluar sesa koha e shkrimtarit. Në prozat fantastiko-shkencore, imagjinata gërshetohet me njohuritë shkencore. Në disa raste, proza të tilla kanë paralajmëruar zbulime shkencore, të cilat pas shumë kohësh janë bërë realitet. Për shembull, shumë nga ato çka imagjinoi përfaqësuesi më i mirë i romanit fantastikoshkencor, Zhyl Verni, sot janë bërë realitet. Gjuha e këtyre romanëve është mjaft e pasur me fjalë nga fjalori i shkencës dhe i teknologjisë moderne.Lexojmë77
                                
   73   74   75   76   77   78   79   80   81   82   83