Page 11 - Demo
P. 11
AnabolizmiAnabolizmi është tërësia e reaksioneve kimike, që prodhon molekula të nevojshme për qelizën apo organizmin. Ai është procesi i ndërtimit apo sintezës së molekulave të mëdha nga molekula të vogla dhe të molekulave të nevojshme për organizmin. Gjatë këtij procesi, qeliza apo organizmi ndërton molekula të reja nga molekula të thjeshta. Ndërtimi i molekulave të reja quhet biosintezë. Për t’i ndërtuar këto molekula, duhet harxhuar energji. Energjia e nevojshme për anabolizmin (për ndërtimin e molekulave të reja) prodhohet në katabolizëm, për të cilin do të flasim më poshtë. Anabolizmin mund ta krahasojmë me ndërtimin e një shtëpie. Ne e ndërtojmë atë hap pas hapi, duke u lodhur, sepse harxhojmë energji (fig. 2). Pa energji, organizmi nuk mund të prodhojë molekulat e nevojshme për jetën. Në anabolizëm, molekulat e nevojshme për qelizën nuk formohen me një reaksion të vetëm. Duhen shumë reaksione të njëpasnjëshme që të prodhohet një molekulë. Një proces anabolik shumë i rëndësishëm është fotosinteza. Ajo është procesi më i rëndësishëm metabolik i botës së gjallë. Gjatë fotosintezës, energjia e dritës diellore shndërrohet në energji kimike të sheqernave. Është pikërisht kjo energji diellore e shndërruar në energji të glukozës, që furnizon me energji gjithë botën e gjallë në Tokë.KatabolizmiKatabolizmi ecën në kah të kundërt të anabolizmit. Ai përfaqëson tërësinë e reaksioneve kimike që shpërbëjnë molekulat e qelizës apo organizmit në molekula më të thjeshta, të panevojshme, me qëllim përftimin e energjisë që këto molekula mbartin. Gjatë këtij procesi shpërbërjeje çlirohet energji. Për nevojat e tyre jetësore, qeliza apo organizmi kanë nevojë për energji, e cila fitohet falë katabolizmit. Lënda e marrë nga ushqimi shpërbëhet dhe energjia e fituar përdoret për nevojat jetësore të qelizës dhe organizmit. Për të kuptuar çfarë ndodh gjatë katabolizmit, mjafton të kujtoni djegien e druve në zjarr (fig.3). Drutë shpërbëhen dhe çlirojnë energji.Fig. 2 Ashtu siç ne harxhojmë energji për të ndërtuar murin, edhe anabolizmi harxhon energji për të ndërtuar molekula të mëdha nga molekula të vogla.Fig. 3 Ne ngrohemi nga energjia që çlirohet gjatë djegies së druve. 9

