Page 20 - Demo
P. 20
Shumica e bimëve kanë gjethe me gojëza kryesisht në sipërfaqen e poshtme. Çdo gojëzë kufizohet nga dy qeliza të veçanta, kryesisht në formë veshkash, të quajtura qeliza mbrojtëse, të cilat ndryshojnë formën kur fryhen ose shfryhen nga uji. Kur qelizat mbrojtëse mbushen me ujë, ato zgjaten dhe përkulen nga jashtë, duke lënë një hapje të vogël në qendër, e cila komunikon me atmosferën. Avulli del jashtë, sepse presioni është më i lartë brenda. Miliona gojëza shumë të vogla, të vendosura në sipërfaqen e gjethes, lëshojnë në këtë mënyrë një masë avulli gjatë pjesës më të madhe të ditës, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta. Megjithatë, në qoftë se bima nuk siguron ujë mjaftueshëm nga toka, gojëzat mbyllen dhe humbja e avullit të ujit pengohet: dy qelizat mbrojtëse e nxjerrin ujin që mbajnë brenda, shfryhen dhe muret e tyre, duke u drejtuar, bashkohen përsëri, duke mbyllur hapjen. Temperaturat e larta dhe era janë faktorë që priren ta favorizojnë transpiracionin, domethënë humbjen e ujit. Gjatë rrjedhës së evolucionit, bimët kanë adoptuar strategji të ndryshme për ta kufizuar atë. Sipërfaqja e gjetheve, për shembull, është e mbuluar nga një shtresë e hollë kutikule, një substancë e papërshkueshme që parandalon humbjen e ujit. Edhe pushi i dendur që mbulon gjethet e disa bimëve, ka të njëjtin qëllim, sepse duke rritur aftësinë për t’i pasqyruar rrezet e diellit, temperatura e vetë gjethes (dhe rrjedhimisht ajo e ujit të brendshëm) ulet, duke penguar avullimin. Bimët e tjera kanë gjethe shumë të vogla me më pak stomata. Disa bimë nuk kanë gjethe sepse janë shndërruar në gjemba. Ky është rasti i atyre bimëve që jetojnë mbi të gjitha në mjedise të thata, si kaktuset, në të cilat kërcelli është i gjelbër dhe, për rrjedhojë, përfshihet në fotosintezë dhe transpiracion. Nëse marrim parasysh se sa më e madhe të jetë sipërfaqja në kontakt me ajrin, aq më i lartë është transpiracioni, mund të kuptojmë përparësinë e madhe që kanë fituar këto bimë duke humbur plotësisht gjethet.Rëndësia e transpiracionitTranspiracioni sjell pasoja shumë pozitive për bimët dhe mjedisin. Transpiracioni i mundëson bimës furnizim të vazhdueshëm me ujë dhe kripëra minerale. Ai e freskon bimën, sepse procesi i avullimit (tajitjes) thith energji. Nga ana tjetër, ai mund edhe t’i krijojë probleme bimës, sepse – në rast të mungesës së ujit – avullimi i tepërt mund ta vyshkë ose edhe ta thajë bimën. Një nga efektet e shumta të dobishme të bimëve në mjedis vjen për shkak të kësaj dukurie. Kushdo nga ne mund ta ketë provuar ndjesinë e freskimit kur hyn në pyll, veçanërisht në një ditë vere të nxehtë dhe me diell. Mjedisi më i freskët nuk është vetëm për shkak të hijes së kurorave të pemëve, por edhe për shkak të shkallës më të lartë të lagështirës si pasojë e transpiracionit të bimëve (fig. 2). Ai ndihmon që toka të mos ngopet me ujë, sepse uji thithet nga rrënjët dhe largohet me anë të transpiracionit. Fig. 2 Pamje nga transpiracioni i pemëve në pyll18

