Page 133 - Demo
P. 133
Ekranizimi i veprës letrareTragjedia “Makbeth” është një vepër, të cilën shumë prej nesh kanë pasur mundësi ta shohin jo vetëm si realizim skenik, por edhe kinematografik. Arti i Shekspirit është i jashtëzakonshëm në çdolloj këndvështrimi. Suksesi shumë i madh i veprës dhe i vënies së saj në skenë, ka nxitur e frymëzuar mjaft regjisorë dhe skenaristë për ta sjellë atë në variantin kinematografik. Përshtatjet filmike të veprës “Makbeth” janë nga më të ndryshmet. Versioni më i fundit është ai i regjisorit Rupert Goold, në vitin 2010. Në këtë film interpretojnë Patrick Stewart (në rolin e Makbethit) dhe Kate Fleetwood (Lejdi Makbeth). Natyrisht, mes veprës letrare dhe realizimit filmik vihen re lehtësisht një sërë dallimesh, disa prej të cilave përshkruhen më poshtë:1. Koha kur zhvillohen ngjarjet: Në veprën e Shekspirit, ngjarjet vendosen në fund të viteve 1400 dhe në fillim të 1500-ës, ndërsa në filmin e vitit 2010, gjithçka ndodh në fillim të shekullit XX, rreth viteve 1920. Ndryshimi në kohë sjell ndryshime në të gjitha elementet që përcaktohen nga ky faktor. Sidoqoftë, ky lloj ndryshimi shkakton habi te lexuesit dhe adhuruesit e Shekspirit. 2. Vendi ku zhvillohen ngjarjet: Në veprën “Makbeth”, nisur edhe nga shumë elemente që dëshmojnë për frymën e periudhës mesjetare, ngjarjet ndodhin në Skoci, ndërsa në film (realizimi i vitit 2010), gjithçka ndodh në një vend krejtësisht tjetër, një mjedis relativisht modern, në Rusi. Në këtë mënyrë, ideja që kemi krijuar prej leximit të veprës “Makbeth”, bie ndesh me shumë prej skenave apo situatave të përshkruara në këtë film.3. Vdekja e Makbethit: Në filmin e vitit 2010, vdekja e Makbethit shfaqet në përmasa gati të minimizuara. Ai është ulur në tryezën e ngrënies, krejt i vetëm, kur Makdafi e sulmon. Një betejë që zhvillohet thuajse fshehtazi, ku nuk arrijmë të shohim me saktësi çfarë ndodh. Për më tepër, Makbethi lufton në një mënyrë krejt të pashpresë. Në fund, Malkolmi merr kokën e prerë. 4. Paraqitja e shtrigave (magjistricave): Skena e shtrigave te “Makbethi” është një nga skenat më të njohura të kësaj tragjedie. Në vepër, ato takohen me Makbethin në pyll ose më saktë në një zonë të shkretë, pa njerëz rreth e qark. Ndërsa në film, shtrigat paraqiten në shtëpinë e Makbethit. Në veprën e Shekspirit, shtrigat luajnë një rol të rëndësishëm në parashikimin e asaj që do të ndodhë më pas, ndërsa në film ato janë qenie inferiore që përgjojnë në hije, me sy të zgurdulluar. Çuditërisht, këtu ato paraqiten me imazhin e infermiereve. Përgjithësisht, në letërsi apo në teatër, infermieret janë personazhe që kujdesen për të tjerët dhe simbolizojnë të mirën, ndërsa në këtë film ato janë nëna e së keqes. 5. Fantazmat: Në tekstin e Shekspirit shfaqen disa fantazma, të cilat ndikojnë jashtëzakonisht në gjendjen e Makbethit. Në tekst shfaqet një fëmijë i përgjakur, një djalë i vogël me një kurorë në kokë. Ndërsa në film ka vetëm trupa të pajetë brenda çantave, të cilët flasin përmes shtrigave. Fantazma e vetme që shfaqet në film është Bankoja, për t’u pasuar nga linja e Mbretërve.6. Në tekst, kur vritet familja e Makdafit, Makbethi nuk është i pranishëm, ndërsa në film po. Për më tepër, në film, Rosi sheh që ata janë vrarë ndërsa ishin në lojë, kurse në vepër, ai thjesht dëgjon për këtë. 131Lexojmë

