Page 184 - Demo
P. 184
Gjuha si mjet komunikimi gojor dhe shkrimorGjuha është mjeti themelor i komunikimit për shoqëritë njerëzore. Ajo mund të përdoret në formën e saj të folur dhe të shkruar. Ky pohim nuk vlen për prerje të thella kronologjike, pasi, siç dihet, shoqëritë primitive njerëzore kanë pasur si mjet komunikimi vetëm gjuhën e folur, ndryshe nga shoqëritë e mëvonshme, të cilat, krahas komunikimit gojor, përdorën shenja të ndryshme komunikimi, derisa erdhën te shkrimi. Forma shkrimore e gjuhëve u parapri nga vizatime që njeriu primitiv bënte në shpella dhe në gurë. Në këtë fazë nuk mund të flitet për shkrim të mirëfilltë, pasi shkrimi nënkupton një lidhje të caktuar mes fjalëve, shprehjeve të një gjuhe dhe simboleve që lidhen me to. Për një kohë relativisht të gjatë, shkrimit i paraprinë piktura të ndryshme në eshtra, guaska, pllaka argjile etj., si forma komunikimi që zëvendësonin atë gojor. Shkrimi piktografik dallon shumë nga përbërja tingullore e fjalës. Për shembull, për përdorimin e fjalës pemë, nga komunikimi primar, vetëm gojor, u kalua në shkrimin piktografik, pra, duke vizatuar formën e një peme, për të ardhur më vonë në përbërjen tingullore të fjalës, pavarësisht alfabetit në përdorim. Sot, përdorimin e piktogrameve e hasim dendur në sinjalistikën rrugore. Kështu, imazhi i një kafshe në shenjat rrugore, paralajmëron drejtuesit e mjeteve për mundësinë e pranisë së kafshëve në rrugë. Shkrim i qytetërimit sumer, 3 300 vjet pr.K.182Lexojmë Historik i shkurtër i gjuhës 6 shqipe të shkruar

