Page 25 - Demo
P. 25
në gropë, ca kokrra i flak edhe flet: “O mal, na sill një ëndërr, o i larti Shamash, i sill një ëndërr Enkidujit!” Një erë e fortë drurët i përshkon, thëllim i tmerrshëm atëherë çohet. Gilgameshi e lejon mikun të shtrihet, mandej dhe vetë shtrihet afër tij. Përkulet prej stuhisë si drithi në erë dhe bie n’gjunjë, kryet e mikut t’vet e mban. S’vonon një gjumë i fortë e i rëndë, që i merr njerëzit, bie mbi Enkidujin. Në mes të natës na i doli gjumi, ngrihet dhe mikut t’vet kështu i flet: “Mos më thërrite mua, o Gilgamesh? Si vallë u zgjova? A thua ti më preke? Pse jam i frikësuar? A mos kaloi një hy këndej? Pse gjithë trupin tim e kam t’këputur? Përsëri, o mik, një ëndërr t’frikshme unë e kam parë: gjëmonte qielli, toka e tërë trandej, të zezat re t’stuhisë afroheshin, shumë të errta mblidheshin në grumbuj; ndriçonte vetëtima, rrufeja shkrepte, përherë shkonin retë duke u zgjeruar, si t’ishte duke reshur binte vdekja. Shndrit dhe një herë flaka, pastaj shuhet. Rrufeja një njeri e bëri hi. Të shkojmë! Në kasollet, atje n’mal, në mes të cedrave të bëjmë këshillë”. Hap gojën Gilgameshi, i flet mikut: “Ëndërr të mirë Enkiduj ke parë, t’gëzueshëm shumë kuptimin ajo e ka. E ashpër lufta pa dyshim do t’jetë, por ne të dy Humbabën do ta mbysim”. Me mund u ngjitën në majë të malit, ku cedrat madhështorë e të harlisur e rrethojnë vendbanimin e hyjnive. Në bardhësinë që verbon, shkëlqen tempulli i shenjtë i hyjneshës Irninë. Tevona ndihet një gulçim i frikshëm dhe drurët zënë thekshëm t’vërshëllejnë. Shohin Humbabën vetëm duke ardhur, i ka të mprehta kthetrat si t’luanit; me luspa t’hekurta trupin mbuluar thonjtë në këmbë sikur të skifterit; në kokë brirët si të demit t’egër, […] “Çohu Enkiduj! Shamashi, zoti i diellit, neve tash jetën le të na e dhurojë!” Gjuajnë me shigjeta e me hobe, të gjitha këto përmbrapa u kthehen, pa asnjë shenjë trupi i tij mbetet. Qëndron përpara tyre. Edhe e kap me kthetra t’mprehta e t’forta Enkidujin. Tevona mbreti shpatën vringëllon. Përtokë bie Humbaba i goditur dhe Gilgameshi kokën ia këput, me t’shpejtë ia pret nga qafa luspa-luspa. Aherë e marrin trupin e fuqishëm duke e zvarritur e qesin në lëndinë – ta hanë zogjtë, për ushqim ua hedhin. Kokën me brirë n’shkop të gjatë ia vënë duke e bartur n’shenjë të fitores. Për n’mal t’hyjnive trimërisht vazhdojnë, n’për cedrat e harlisur, madhështorë, dhe n’fund arrijnë në majë të malit. Nga mali atëbotë një britmë ndihet, zëri i Irninës sa fort sokëllin: “Kthehuni prapa! Veprën tuaj e kryet, n’Uruk t’filloni, se ju pret qyteti! Në malin hyjnor, ku banojnë hyjnitë nuk ka arritur kurrë vdekatar. Kush i shikon n’fytyrë perënditë atë përjetë vdekja do ta gjejë!” Kuptojmë tekstin 1 Lexoni pjesën dhe përgjigjuni pyetjeve.a) Për ku ishin nisur Gilgameshi dhe Enkiduji?b) Kush i pa ëndrrat e çuditshme? Sa ëndrra panë dy trimat? c) Kujt iu lut Gilgameshi në gjunjë dhe për çfarë ishte lutja? ç) Për ku nisen, pasi vrasin Humbabën? A arrijnë dot atje? Kush i ndalon? Studim tekstiEpiEpi (epos) paraqet formën e gjatë të krijimit në vargje. Ai është një nga llojet më të vjetra të poezisë epike. Epi shquhet për rrëfimin madhështor mbi ngjarje jo të zakonshme dhe të rëndësishme që zhvillohen në një botë të çuditshme. Në të paraqitet heroizmi kolektiv dhe individual, por edhe vdekja heroike e heronjve. Epopeja thuajse ekskluzivisht është kënduar në vargje. Mentaliteti i njeriut të kohëve të hershme, tregon gjendjen që përjetonte njeriu përpara së panjohurës, e cila tek ai shkaktonte pasiguri dhe frikë në një anë dhe entuziazëm në luftën për mposhtjen e së panjohurës nga ana tjetër. Ai e ndiente veten të dobët para forcave objektive të natyrës, të cilave u jepte rol mbinatyror. Këto forca, ai i mendonte në formën e hyjnive, të cilat përzihen në fatet njerëzore. Si rrjedhojë e kësaj, bota epike e njeriut ishte botë e së çuditshmes dhe e fantastikes. Në pajtim me këtë, edhe personazhet e poezisë epike paraqiten në përmasa të mëdha, gjysmëperëndi – gjysmënjerëz, kurse figura më e shpeshtë në përshkrimin e personazheve është hiperbola. 23Lexojmë

