Page 110 - Demo
P. 110
102 BIOLOGJIA 10 - 11Thithja e joneve Ashtu si përthithin ujin me anë të osmozës, qimet e rrënjës përthithin edhe kripërat minerale, të cilat gjenden në tokë në formën e joneve të tretura në ujë. Ato zhvendosen në enët e ksilemës së bashku me ujin e përthithur dhe transportohen në të gjitha pjesët e bimës. Këto kripëra minerale zakonisht gjenden në tokë në përqendrime mjaft të ulëta. Përqendrimi brenda qimeve të rrënjës është më i lartë. Në këtë gjendje, kripërat minerale duhet të zhvendosen nga qelizat e rrënjës në tokë. Megjithatë, qimet e rrënjës mund t’i marrin kripërat minerale kundër gradientit të tyre të përqendrimit. Kjo bëhet e mundur në saje të membranës qelizore. Molekula të veçanta transportuese në membranën qelizore të qimes së rrënjës i mbartin jonet përmes saj dhe i transportojnë në qelizë, në drejtim të kundërt me gradientin. Kjo mënyrë e transportit quhet transport aktiv dhe është përshkruar në faqen 35.8.4 Transporti i lëndëve ushqyese të prodhuaraGjatë procesit të fotosintezës, në gjethe prodhohen karbohidrate. Gjithashtu, ato përdorin disa nga këto karbohidrate për të prodhuar aminoacide, proteina, vajra dhe substanca të tjera organike. Një pjesë e lëndëve ushqyese organike që prodhon bima, veçanërisht sheqeri, transportohet në tubat e floemës. Ato transportohen nga gjethet në pjesët e bimës që ka nevojë për to. Ky proces quhet translokim. Pra, limfa në brendësi të tubave të floemës përmban sasi të madhe sheqeri, veçanërisht sakarozë.Burimet dhe depotPjesa e bimës nga e cila zhvendosen sakaroza dhe aminoacidet quhet burim, ndërsa pjesa në të cilën ato shkojnë quhet depo.Koncepte kyçetranslokim – lëvizja e sakarozës dhe aminoacideve në floemë, nga zonat e prodhimit (burimet) në zonat e depozitimit, ose në zonat e përdorimit për frymëmarrje apo për rritje (depot). Kur një bimë kryen fotosintezë dhe rritet në mënyrë aktive, gjethet janë burimi kryesor i lëndëve që shpërndahen. Ato prodhojnë vazhdimisht sakarozë, e cila shpërndahet me anë të floemës në të gjitha pjesët e bimës. Këto pjesë – depot –përfshijnë rrënjët dhe lulet. Rrënjët e shndërrojnë një pjesë të sakarozës në amidon dhe e depozitojnë atë. Ndërsa lulet e përdorin sakarozën për të prodhuar fruktozë (një sheqer me një shije të ëmbël të veçantë që gjendet në nektar). Më vonë, kur formohen frutat, sakaroza përdoret për të prodhuar fruta të ëmbla, dhe për të tërhequr kafshët. Por shumë bimë në një periudhë të caktuar të vitit kalojnë në një gjendje qetësie. Gjatë kësaj faze, ato përballen me kushte të vështira duke qenë në një gjendje me veprimtari të reduktuar. Në një klimë të nxehtë, kjo mund të ndodhë gjatë stinës së nxehtë dhe të thatë. Në vendet me klimë mesatare, kjo mund të ndodhë gjatë dimrit. Bimët në gjendje të fjetur nuk kryejnë fotosintezë, por mbijetojnë me amidonin, vajrat apo lëndë të tjera të depozituara. Kur stinët ndryshojnë, ato fillojnë të rriten përsëri. Tashmë materialet rezervë shndërrohen në sakarozë dhe transportohen në zonat e rritjes. Për shembull, bima e patates (figura 8.13) rritet në vende me klimë mesatare dhe nuk u mbijeton ngricave të dimrit. Gjatë verës, gjethet kryejnë fotosintezë dhe e çojnë sakarozën në kërcejtë nëntokësorë. Këtu formohen fryrje të quajtura zhardhokë. Qelizat në zhardhokët e rrënjës e shndërrojnë sakarozën në amidon dhe e depozitojnë. Në vjeshtë, gjethet bien. Nga bima e patates nuk mbetet asgjë, përveç zhardhokëve, të cilët gjenden nëntokë, ndërsa në pranverë, ata fillojnë të rritin bisqe dhe gjethe të reja. Amidoni në zhardhokë shndërrohet përsëri në sakarozë dhe transportohet përmes floemës në gjethet dhe kërcejtë që po rriten. Kjo do të vazhdojë derisa gjethet të jenë rritur dhe të kryejnë fotosintezë. Kështu, në verë gjethet janë burimi, ndërsa zhardhokët në rritje janë depot. Në pranverë, tuberët janë burimi, ndërsa gjethet që rriten janë depot. Ju mund të shihni nga ky shembull që floema mund ta transportojë sakarozën në bimë në të dyja drejtimet, lart ose poshtë. Kjo nuk është e vërtetë për transportin e ujit në enët e ksilemës. Uji mund të zhvendoset vetëm lart, sepse transpirimi ndodh gjithmonë në sipërfaqen e gjethes dhe dhe kjo dukuri bën tërheqjen e ujit në bimë.

