Page 141 - Demo
P. 141
133Një pjesë e mbeturinave në vendin e grumbullimit kalbëzohet prej dekompozuesve, veçanërisht nga bakteret. Gjatë këtij procesi çlirohet një gaz i quajtur metan, i cili është i djegshëm dhe mund të shpërthejë nëse grumbullohet. Largimi i këtij gazi pa shkaktuar dëm realizohet duke vendosur tuba në grumbullin e mbeturinave. Më mirë akoma, metani mund të mblidhet dhe të përdoret si karburant. Kur vendi i grumbullimit të mbeturinave mbushet plot, ai mund të mbulohet me dhe e bar dhe mbi të mund të mbillen pemë.Trajtimi i ujërave të zezaUjërat e zeza mund të vijnë nga shtëpitë, industria ose burime të tjera nga fshatra apo qytete. Një pjesë e tyre grumbullohen nga kanalet e kullimit të rrugëve kur bie shi. Një pjesë vjen nga tualetet dhe kuzhinat në shtëpi ose zyra. Një pjesë tjetër vjen nga fabrikat. Ujërat e zeza përmbajnë kryesisht ujë, por edhe shumë substanca të tjera. Këtu përfshihen urina dhe feçet, letrat higjienike, larësit, vajrat dhe substanca të tjera. Ujërat e zeza nuk duhen të rrjedhin në lumenj ose dete përpara se të trajtohen pasi mund të jenë të dëmshme për njerëzit dhe mjedisin. Ujërat e zeza të patrajtuara përmbajnë baktere dhe mikroorganizma të tjerë, një pjesë e të cilëve mund të jenë patogjenë. Njerëzit që bien në kontakt me ujërt e zeza, veçanërisht nëse futen në gojë, mund të sëmuren. Poliomieliti dhe kolera janë dy sëmundje serioze që mund të shkaktohen nga uji i ndotur me ujëra të zeza.Ju mund të lexoni më shumë për trajtimin e ujërave të zeza në faqet 309–310.10.3 Sistemi imunitarNe kemi parë që një tip i qelizave të bardha të gjakut, limfocitet, prodhojnë disa lëndë të quajtura antitrupa. Këto lëndë ndihmojnë në shkatërrimin e patogjenëve.AntitrupatNë trupin tonë, ne kemi mijëra lloje limfocitesh. Çdo lloj është i aftë të prodhojë antitrupa. Antitrupi është një proteinë me formë të veçantë. Ashtu si molekula e enzimave, kjo formë është e tillë që të përputhet me një molekulë tjetër. Për të shkatërruar një patogjen të veçantë, duhen prodhuar molekulat e antitrupave që kanë formë që të përputhet me molekulat në sipërfaqe të patogjenit. Këto molekula të patogjenit quhen antigjenë. Kur molekulat e antitrupave lidhen me patogjenin, ato e vrasin atë. Ekzistojnë disa mënyra për t'i vrarë patogjenët. Një mënyrë është njoftimi i fagociteve për praninë e patogjenëve, kështu që ato vijnë dhe i shkatërrojnë ata. Ose antitrupat mund të fillojnë një radhë reaksionesh në gjak që prodhojnë enzima për të tretur patogjenët. Shumicën e kohës, pjesa më e madhe e limfociteve nuk prodhon antitrupa. Do të ishte një humbje energjie dhe materialesh nëse do të ndodhte kështu. Në të vërtetë, çdo limfocit pret për një sinjal që njofton se në trup është futur një patogjen, i cili mund të shkatërrohet nga antitrupi i tij specifik. Nëse në trup futet një patogjen, ka mundësi që të takojë një numër të madh limfocitesh. Njëri prej tyre mund ta njohë patogjenin si diçka që antitrupi i tij mund ta shkatërrojë. Ky limfocit do të fillojë të ndahet shpejt me mitozë, duke formuar një klon limfocitesh si vetja. Më pas këto limfocite sekretojnë antitrupat e tyre, duke e shkatërruar patogjenin (figura 10.12). Kjo kërkon kohën e vet. Pra, mund të kalojë njëfarë kohe që limfociti “i duhur” ta njohë patogjenin dhe disa ditë që të prodhojë një klon aq të madh sa të prodhojë sasinë e mjaftueshme të antitrupave. Ndërkohë që patogjeni shumohet ne mund të sëmuremi. Megjithatë, në fund limfocitet fitojnë dhe ne shërohemi. Kontroll njohurish10.6 Shpjegoni përse mbeturinat e shtëpisë duhet të mbahen të mbuluara.10.7 Shpjegoni rëndësinë e secilës prej veçorive të një vendi grumbullimi mbeturinash të ndërtuar ashtu siç duhet.a) Sipërfaqja mbulohet me një veshje të papërshkueshme nga uji përpara hedhjes së mbeturinave.b) Kur shtohen mbeturina të reja, ato shpërhapen dhe ngjishen.c) Njerëzit e zakonshëm nuk lejohen të futen në këto vende.d) Në mbeturinat e ngjeshura futen tuba.e) Kur vendi mbushet plot, ai mbulohet me dhe.10.8 Përse ujërat e zeza të patrajtuara përbëjnë rrezik për shëndetin?Kapitulli 10: Patogjenët dhe imuniteti

