Page 145 - Demo
P. 145
137Vaksinimi i fëmijëve kundër fruthit mbron jo vetëm fëmijët e vaksinuar, por edhe ata që nuk janë të vaksinuar (figura 10.16). Kjo ndodh sepse ka gjithnjë e më pak vende ku mund të zhvillohet virusi i fruthit. Megjithatë, vaksinimi siguron mbrojtjen e duhur në popullatë në qoftë se janë të vaksinuar të paktën 93% e fëmijëve. Nëse prindërit vendosin të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, atëherë do të ketë gjithmonë shpërthime të fruthit. Kjo ndodhi në Suansej (Swansea), në Uellsin e Jugut. Një numër i madh prindërish nuk i vaksinuan fëmijët nga fundi i viteve ’90 dhe në vitet e para të shekullit XXI. Në vitin 2013, kur këta fëmijë ishin midis moshës 10 dhe 18 vjeç, në atë zonë u përhap një epidemi e madhe fruthi. Sëmundjet autoimuneSistemi ynë imunitar është shumë efektiv për mbrojtjen ndaj sëmundjeve të ndryshme infektive. Por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet dhe ai sulmon pjesë të vetë trupit. Normalisht, limfocitet u përgjigjen vetëm qelizave “të huaja” që futen në një trup. Ato njohin qelizat e trupit si “të vetes” dhe nuk prodhojnë antitrupa kundër tyre. Megjithatë, ndonjëherë ky sistem prishet. Limfocitet sillen sikur disa nga qelizat tona janë “të huaja” dhe reagojnë kundër tyre, sikurse do të bënin kundër një “pushtimi” nga patogjenët.Sëmundjet që janë pasojë e këtij keqfunksionimi të sistemit imunitar quhen sëmundje autoimune. Një shembull është diabeti i tipit 1. Pankreasi është një gjëndër që ndodhet poshtë stomakut. Sikurse e keni parë, ajo prodhon lëngje që përmbajnë enzimat që tresin ushqimin në zorrën e hollë. Por ai ka edhe një funksion tjetër – prodhon hormonet që ndihmojnë për të kontrolluar përqendrimin e glukozës në gjak. Më shumë për këtë sëmundje mund të lexoni në kapitullin 14.Një nga hormonet e prodhuara prej pankreasit është insulina. Ky hormon prodhohet kur përqendrimi i glukozës në gjak rritet mbi vlerën normale dhe çon në uljen e përqendrimit të glukozës. Insulina prodhohet nga një tip i veçantë qelizash në pankreas të quajtura qeliza beta. Në disa njerëz, qelizat e sistemit të tyre imunitar sulmojnë qelizat beta dhe i shkatërrojnë. Askush nuk e kupton përse ndodh kjo gjë. Zakonisht kjo ndodh te personat e rinj, prandaj diabeti i tipit 1 shfaqet te fëmijët dhe jo te të rriturit. Mungesa e qelizave beta do të thotë që nuk prodhohet më insulinë, kështu që nuk kontrollohet përqendrimi i glukozës në gjak. Kjo çon në diabet, ku nivelet e glukozës në gjak mund të rriten shumë. Sëmundja e diabetit është një sëmundje e rrezikshme prandaj ajo duhet të mbahet në mbikëqyrje gjatë gjithë kohës. Shumica e njerëzve me diabet të tipit 1 duhet ta injektojnë insulinën në intervale të rregullta kohore (figura 10.17), si dhe të kenë kujdes për ushqimin që hanë. Në këtë mënyrë ata mund ta mbajnë përqendrimin e glukozës në kufij normalë.Figura 10.17 Një grua me diabet të tipit 1 përgatitet për të injektuar insulinën. Insulina nuk mund të merret nga goja, sepse është proteinë dhe tretet nga enzimat e stomakut.Kapitulli 10: Patogjenët dhe imuniteti

