Page 141 - Demo
P. 141
Tematika VKursi i Ri i RuzveltitKriza ekonomike shkaktoi probleme të mëdha, të cilat presidenti amerikan i kohës, Herbert Huver (Herbert Hoover), i zgjedhur në detyrë në vitin 1928, nuk arriti t’i zgjidhte. Meqenëse kishte filluar të qeveriste në periudhën e artë të ekonomisë, ai ishte kundër ndërhyrjes shtetërore në ekonomi. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1932 fitoi kandidati i Partisë Demokratike, Frenklin Delano Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt), i cili me optimizmin e tij kishte ngjallur besim tek amerikanët. Presidenti i ri, i këshilluar nga ekonomistët më të zotë të vendit, me programin e tij i kushtoi rëndësi ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Si bazë e reformave u morën teoritë e ekonomistit britanik Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes), i cili argumentonte se, kur sipërmarrja private kishte vështirësi, shteti duhej të ndërhynte që të gjallëronte ekonominë, derisa sipërmarrja të fuqizohej sërish. Detyrat e reja të shtetit tashmë ishin investimet publike, ndihma ndaj shtresave të varfra shoqërore, kontrolli mbi tregun financiar dhe bankar, vendosja e objektivave në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kontrolli i respektimit të ligjeve. Të gjitha këto kërkonin edhe një buxhet të madh qeveritar, që do të krijonte për financat e shtetit atë që quhet deficit financiar. Plani i rindërtimit ekonomik, i njohur edhe si Kursi i Ri, (New Deal) u zbatua nëpërmjet masave lehtësuese dhe ripërtëritëse. Qeveria ofroi ndihmë financiare për të lehtësuar papunësinë dhe zgjeroi shpenzimet shtetërore për të rritur punësimin. Gjatë kësaj kohe u realizuan mjaft ndërtime publike si rrugë, ura, shkolla, të cilat ndihmuan në uljen e papunësisë. Bankat u mbyllën përkohësisht dhe iu nënshtruan kontrolleve për të verifikuar gjendjen e tyre. Qeveria vendosi të zhvlerësojë dollarin, si një masë për të gjallëruar ekonominë. U vendos kontrolli i shtetit në bursë dhe në sistemin bankar. Shteti ndihmoi fermerët financiarisht duke i orientuar drejt kulturave që duhej të mbillnin. Po kështu u vendosën çmimet minimale për prodhimet bujqësore. U krijuan edhe disa agjenci kombëtare që ofruan punë për miliona amerikanë. Në këtë mënyrë u rivendos stabiliteti ekonomik dhe shoqëror në vend. Kursi i Ri i Ruzveltit rezultoi politikë e suksesshme, që ndikoi në ripërtëritjen e vendit nga kriza dhe ndryshoi rolin e shtetit. Për këtë arsye, Ruzvelti fitoi përsëri mandatin e presidentit. Ndërhyrja shtetërore tanimë u bë një domosdoshmëri dhe shteti u shndërrua në një rregullator, punëdhënës dhe konsumator të madh. Amerika kaloi nga liberalizmi klasik drejt liberalizmit modern, në thelb të të cilit qëndron roli i shtetit nëpërmjet ndërhyrjes në jetën ekonomike dhe shoqërore.• Analizoni tiparet e zhvillimit të ShBA-së gjatë viteve të Luftës.• Cilat janë shkaqet e krizës ekonomike të viteve 1929-1933?• Renditni disa prej shfaqjeve të kësaj krize.• Cilat janë masat kryesore të ndërmarra nga presidenti Ruzvelt?• Si ndryshon roli i shtetit para dhe pas krizës ekonomike në ShBA?Verifikoni njohuritëMendo si historian: Për kapërcimin e krizës ekonomike të vitit 1929, Ruzvelti mori masa të forta, duke theksuar ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Këto masa në njëfarë mënyre u kontestuan si nga krahu i djathtë, ashtu edhe nga krahu i majtë. Cilat mendoni se ishin argumentet kryesore të të dy krahëve?Hulumtoni dhe diskutoniParulla kundër politikave të dështuara të Huverit, 1929Presidenti Ruzvelt teksa firmos ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar45139

