Page 101 - Demo
P. 101
mund t’i zinte dot. Në Iolk, duke shfrytëzuar naivitetin e vajzave të Pelias, Medea vrau me dredhi familjen e mbretit. Nga ai moment, Jasoni e Medea u dëbuan nga vendi dhe u nisën drejt Korintit. Atje Jasoni vendosi të martohej me Glaukën, të bijën e mbretit Kreon, ndërkohë që nga Medea kishte dy djem. Këtu fillon edhe tragjedia e Medeas.Subjekti tragjikJasoni i kërkon Kreonit dorën e së bijës, Glaukës, duke u shfajësuar para Medeas me një premtim për bashkim me të në të ardhmen. Ai përpiqet ta bindë Medean që martesa me Glaukën bëhet për motive politike dhe në të mirë të qëndrimit të familjes së tyre në Korint. Medea nuk i beson. Nga ana tjetër, vetë mbreti Kreon ia ka frikën asaj që Medea mund të bëjë, ndaj urdhëron largimin e saj. Frika e tij lidhet me ngjarjet e ndodhura para se ata të vinin në Korint. Në një moment të caktuar, shfaqet Egjeu, i cili i premton Medeas mbrojtje, nëse ajo ndihmon gruan e tij me magjitë e saj. Kjo situatë e re e shtyn Medean të hartojë një plan hakmarrës ndaj Glaukës e Jasonit, pas realizimit të të cilit do të siguronte edhe shpëtimin. Në këto rrethana, Medea vendos që të hakmerret në fillim me Kreonin. Ajo i kërkon atij një ditë leje për të kryer planin kobzi: Sot të tre armiqtë do t’i shtri të vdekur/ Atin me të bijën edhe burrin tim. Medea vret Glaukën me rroba të helmuara, të dërguara prej saj si dhuratë; pas së bijës vdes edhe Kreoni, sapo prek rrobat e saj. Më pas Medea vret edhe fëmijët e saj, për t’u hakmarrë deri në fund ndaj Jasonit. Pas vrasjes së fëmijëve, në skenën e krimit zbret një karrocë, të cilën e tërheqin dragonj me fletë dhe që Dielli e ka dërguar enkas për shpëtimin e Medeas. Ajo i merr me vete trupat e fëmijëve dhe zhduket me karrocën fluturuese. Këtu mbyllet edhe tragjedia. Struktura e veprësTragjedia ka strukturë të thjeshtë, por nëse fabula është e tillë, Euripidi forcon intrigën dhe peripecinë. Tensioni dramatik (hamartia) vjen në rritje dhe përfundon me një ngjarje të jashtëzakonshme. Tragjedia në fjalë parapërgatitet nga dialogu mes mëndeshës dhe Pedagogut. Medea ndërkohë ka nisur të egërsohet e të mallkojë. Ajo del në skenë e zemëruar, e dërrmuar, por e vendosur për t’u hakmarrë. Hakmarrja udhëhiqet nga tronditja emocionale dhe psikologjike e shkaktuar nga tradhtia e Jasonit. Akti më tragjik i kësaj hakmarrjeje është vrasja e dy fëmijëve të vet. Medea bëhet vrasëse e fëmijëve të saj e ky është një akt që përjashton mundësinë e rrethanave lehtësuese, megjithatë, Euripidi e shpëton atë me një deux ex machina, që është karroca fluturuese. Medea, grua dhe nënë. A mund t’i vrasë bijtë e saj një nënë? Sa më tragjik krimi, aq më i llahtarshëm efekti. Tragjedia ndriçon pjesën më të thellë të saj: përleshjen mes ndjenjave dashuri e hakmarrje. Cila nga të dyja do të triumfojë: dashuria e nënës apo hakmarrja? Para skenës finale, ajo thotë: Nuk kam gjë fare/ Vetëm po mendohem për këta fëmijë. Lufta vijon me vajin e saj: Medet! Medet/ O djemkat e nënës. Euripidi e vë konfliktin drejt tronditjes më të madhe. Në fund, nëna i vret fëmijët e saj. Por, si arriti Medea deri këtu? Pikësëpari, Medea karakterizohet nga një rebelizëm i kahershëm. Ajo nuk do t’ia dijë për gjykimin e të tjerëve dhe kjo del në pah qysh në momentin që lë vendlindjen e arratiset me Jasonin. Ndaj, përpara se të gjykohet për krimin e fundit, ajo duhet të gjykohet për ç’ka lënë pas. Me ndihmën e parë që i dha Jasonit, Medea kreu një akt tradhtie ndaj vendit të saj për hir të një pasioni erotik. Braktis familjen, ther të vëllanë, vret Pelian etj. Ndaj në kuptimin e kësaj tragjedie, duke qenë se Euripidi përqendrohet në konfliktin psikologjik të Medeas, i duhet dhënë përgjigje pyetjes: Si e çon konflikti psikologjik këtë grua drejt aktit final vrastar? Lidhur me këtë ka disa mendime, të cilat do t’i trajtojmë më poshtë.99

