Page 119 - Demo
P. 119
Marin Barleti është humanisti më i madh shqiptar. Lindi në Shkodër dhe përjetoi nga afër qëndresën shqiptare kundër ushtrisë osmane, madje mori pjesë drejtpërdrejt në radhët e luftëtarëve gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës (1478-1479). Me rënien e qytetit të tij të lindjes, detyrohet të largohet dhe të vazhdojë jetën në mërgim, ku ushtroi misionin e priftit. Ndërkohë, ai u kushton një vëmendje të madhe dijeve dhe kulturës humaniste të kohës. Dëshira e tij ishte që një ditë, të dëshmonte me botime historinë e popullit të vet, me qëllim që kjo histori përpjekjesh e sakrificash të mëdha të mos zbehej e të mos harrohej në rrjedhat e kohës. E gjithë vepra e tij do të luante rolin e vet si kujtesë dhe si nxitje për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, me lëvizjet e njohura kulturore dhe kryengritëse, të cilat nuk do të reshtnin së organizuari e vepruari në tërë krahinat e vendit gjatë viteve që do të vinin më pas.Marin Barleti (1460-1513)Jeta dhe vepraDuke mbledhur e shfrytëzuar kujtime përmes kontakteve me luftëtarë që kishin qenë afër Skënderbeut dhe pjesëmarrës në mjaft nga betejat e njohura të drejtuara prej tij, Barleti arriti të botojë në latinisht tri vepra të karakterit historik. Krahas veprave Rrethimi i Shkodrës (1504) dhe Shkurtore e jetës së papëve dhe e perandorëve romakë (1553), sigurisht që vepra e tij më e njohur dhe më e rëndësishme mbetet Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut (1508-1510). Ajo i kushtohet në shenjë nderimi e shprese nipit të Skënderbeut, të vendosur asokohe në Napoli, nga ku pritej që nën drejtimin e tij, shqiptarët e mërguar të organizoheshin për të nisur qëndresën antiosmane në vendin e tyre. Librin me përmbledhje mbi jetën e papëve dhe të perandorëve, ai ia kushtoi Pjetër Engjëllit, mikut të tij, i cili e nxiti t’i hynte veprës mbi figurën e heroit të shqiptarëve, Skënderbeut. Ky ishte vëllai i Pal Engjëllit, njeriut të afërt të Skënderbeut, prej të cilit erdhi Formula e pagëzimit (dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip që njohim gjer më sot), e shkruar me alfabetin latin dhe e zbuluar e botuar nga albanologu i njohur rumun, Nikolae Jorga, më 1915 (Un të pagëzonj p’r emnit Atit e t’Birit e t’Shpertit Shenjt). Vlera letrare dhe të dhëna historikeDozat himnizuese dhe ekzaltuese që ndihen në përshkrimin e ngjarjeve dhe të figurave të njohura të epokës së Skënderbeut, dëshmojnë për subjektivitetin e kuptueshëm të autorit. Pavarësisht kësaj, ky libër bart brenda tij një informacion të pasur historik, shpesh burimor, i cili është shfrytëzuar nga historianë e studiues të ndryshëm që janë marrë me interpretimin e kësaj periudhe. Gjithë të dhënat apo faktet mbi ngjarjet e pasqyruara në këtë vepër, janë dëshmi e një të kaluare të lavdishme historike, ku në momente të caktuara autori u përfshi edhe vetë si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në betejat luftarake.Sikundër dihet, veprat e Barletit dhe ato të humanistëve të tjerë shqiptarë janë shkruar në latinisht, pasi kjo ishte gjuha e dijes së kohës. Latinishtja i bashkonte gjuhësisht elitat e vendeve të ndryshme, të cilat arrinin të përcillnin përmes botimeve përvoja nga vendet e tyre, brenda vizionit humanist të kësaj periudhe mesjetare të zgjimit kulturor e shkencor. Si të tilla, këto vepra patën rëndësi të dorës së parë edhe për faktin se ndikuan mjaft në përgatitjen e kushteve të përshtatshme për lindjen dhe zhvillimin e mëvonshëm të letërsive kombëtare sikundër ndodhi edhe në letërsinë shqipe, me autorët e saj të parë, të cilët nisën t’i shkruajnë veprat e tyre në shqip.Vlerësime për Barletin Me latinishten e tij elegante dhe stilin e tij të kujdesur fitoi këndonjës an’e mb’në botës dhe e bëri të pavdekur kujtimin e Skënderbeut në Europë... (F. Noli)117

