Page 127 - Demo
P. 127
Studim tekstiPjetër Bogdani (1630-1689)Jeta dhe vepraPër vlerat letrare që solli, Pjetër Bogdani konsiderohet si shkrimtari më i shquar i letërsisë së vjetër shqipe. Ai lindi në Gur të Hasit, Prizren, në një familje mjaft të njohur në ato anë, nga dyert e së cilës kishin dalë disa figura të rëndësishme në hierarkinë kishtare të kohës. Fillimisht studioi në kolegjin ilirik të Loretos. Pasi u caktua dhe ushtroi për njëfarë kohe detyrën e meshtarit në Pult, ai shkoi në Romë, ku nisi studimet e larta në Kolegjin e Propagandës. Në saje të rezultateve të larta, arriti të fitojë doktoraturën në fushën e filozofisë dhe të teologjisë. Në këtë kohë u emërua ipeshkv i Shkodrës. Më pas arriti të kryejë funksionin e lartë si arqipeshkv i Shkupit, ku zëvendësoi të ungjin Ndreu, pas vdekjes së tij. Vetë Ndreu, gjithashtu, kishte treguar interes të madh për shkrimin dhe përhapjen e shqipes, madje arriti të përfundojë edhe hartimin e një gramatike latinisht-shqip. Këtë dorëshkrim Bogdani e humbi gjatë kohës kur ishte i detyruar të endej nëpër male, i përndjekur nga pushtuesit. VeprimtariaAshtu si dhe mjaft nga pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, P. Bogdani u tregua aktiv në funksionet fetare dhe atdhetare, duke mos i parë ndarazi nga njëri-tjetri asnjëherë. Ai i dërgonte sistematikisht Vatikanit relacione, në të cilat përshkruante situatat e rënda materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve nën pushtim, duke dhënë fakte konkrete për pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre në krahina të ndryshme. Në këto rrethana të vështira të shqiptarëve, ai e pa të nevojshme të mos mjaftohej vetëm me zbatimin e shërbesave të meshtarisë, por gjithashtu të merrte pjesë në mënyrë aktive në lëvizjet kryengritëse, madje edhe si organizator i tyre. Bogdani përkrahu forcat austriake kundër ushtrisë otomane. Për t’iu bashkuar kësaj qëndrese, e cila kishte nisur të ziente në rajone të ndryshme të Ballkanit e më gjerë, ai, me autoritetin që gëzonte, arriti të organizojë në Prizren një ushtri me 6 mijë shqiptarë. Kjo qëndresë e zhvilluar në Shkup e në Prizren, dështoi për shkak të forcave dhe armatimeve të shumta të ushtrisë armike, e cila ishte më e fuqishmja e kohës. Por, kjo humbje erdhi edhe për shkak të panikut që krijoi përhapja masive e epidemisë shfarosëse të murtajës, prej së cilës u sëmur edhe vetë Bogdani. Ai vdiq në Prishtinë më 1689. Duke ditur autoritetin e lartë që Bogdani kishte mes njerëzve sa qe gjallë dhe duke mos harruar telashet e shumta që ai u solli si kundërshtari i tyre i betuar, pushtuesit otomanë, për hakmarrje, ia zhvarrosën barbarisht trupin dhe i vranë nipin. VlerësimeBogdani, një njohës i thellë i doktrinës teologjike dhe i thesarit të gjuhës shqipe, është vlerësuar nga studiuesit si një figurë e shquar që zotëron fuqinë e njeriut të aksionit dhe të eruditit të madh. Për nga projeksioni i ideve dhe i formave bukurshprehëse, ai arriti të krijojë një kryevepër të letërsisë shqipe, e cila, për nga forca e ideve dhe e formave të ligjërimit artistik, e tejkaloi dukshëm kohën e vet, duke dëshmuar kështu personalitetin e tij mjaft të përgatitur dhe vizionar.1. Ku qëndron suksesi i shkollimit të Bogdanit? Ç’ndikim pati modeli që ai ndoqi dhe si shfaqet në çdo aspekt të veprimtarisë së tij? Si vihen në funksion të ndërsjellë veprimtaritë e fetarit dhe të atdhetarit?2. Sipas informacioneve dhe mendimeve të kritikëve të kohës, në ç’raport qëndrojnë te Bogdani: eruditi, njeriu i veprimit, njohësi i teologjisë dhe shkrimtari?3. Themi që Bogdani krijoi një kryevepër të letërsisë shqipe, vetëm për shkak të ideve apo edhe prej përdorimit të veçantë të gjuhës? Pse ai me veprën e tij konsiderohet si tejkalues i kohës së vet? 125

