Page 129 - Demo
P. 129
Cikli i poezive të sibilaveVeçoritë krijuese të Bogdanit spikatin sidomos në ciklin e poezive të sibilave. Sibilat janë figura të mitologjisë antike. Ato profetizojnë mbi çfarë ka ndodhur e do të ndodhë në fatin e heronjve e të vendeve dhe përcjellin këshillat e zotave. Në veprën e tij, këto figura Bogdani i vendos në funksion të shtjellimit të temave teologjike, por duke u dhënë lirshmëri dhe hapësirë, sipas ligjësive të krijimit të mirëfilltë letrar.Poezitë janë ndërtuar sipas modelit të njohur në poezinë italiane të kohës, me strofa tetëvargëshe dhe njëmbëdhjetërrokësh.Në ciklin e këtyre poezive përfshihen njëmbëdhjetë krijime dhe secili prej tyre përmban një kallëzim më vete, që përcillet nga një sibilë. Sipas këtij koncepti krijues, tematika ka një strukturë mozaiku, ku çdonjëra prej poezive qëndron si krijim më vete, por ndërkohë, e konceptuar si pjesë e së tërës.Me vlerat letrare që krijoi, Bogdani arriti nivelin më të lartë të kohës së vet. Me krijimet e tij, letërsia shqipe fitoi statusin letrar, i cili u bë model referues për procesin letrar të mëvonshëm, i cili do të zhvillohej edhe më tej. Kjo prirje, sigurisht që vlerësohet si një meritë e vyer e këtij autori, me gjithë modestinë e tij prekëse, kur i drejtohet lexuesit qysh në hyrje të veprës së vet, me kërkesën: … që të më ndiejsh, nde gjeç fjalë, qi të trazon veshët. Por as dielli pa hije, as hâna pa tallaze mbë faqe nuk ânshtë…Vepra e Bogdanit Cuneus Prophetarum...Vepra e Bogdanit, pra, na ofron modernitetin e kuptimit e të konceptimit, sepse në të mund t’i gjejmë të shkruara e të iniciuara shumë nga problemet ekzistenciale të mendimit e të filozofimit për gjëra e fenomene. Dhe ne sot, këtë vepër mund ta shikojmë në planin e modernitetit që mban në veten, sepse e ka bërë dhe e bën ekzistencën e vet në Fjalë-Gjuhën tonë. Dhe në këtë plan, dhe jo vetëm në këtë, sepse ka problematikë universale, siç e pamë, kjo vepër mund të lexohet ashtu si e lexojmë gjithë klasikën në këtë fushë, si Platonin, Aristotelin, Shën Agustinin, apo Toma Akuinin... Pastaj, pos në këto probleme fundamentale filozofike e shkencore, në këtë vepër kemi edhe modernitetin teorik-letrar, krijimin artistik, në mënyrë të veçantë poezinë dhe gjithë ligjëratën e tij, stilin e tij plot metaforikë, simbolikë e ironi dhe pasuri. Një ligjërim intelektual e energjik në krijim dhe në formulim. Edhe këtu do ta gjejmë modernitetin, veten. I ka këto kualitete kjo vepër, që shtysin e nxisin mendjen moderne, sepse qëndron, në amën (burimin), në shtratin e vet, siç na e sinjifikon edhe vetë duke folur për probleme të ngjashme. Ibrahim Rugova, 127

