Page 135 - Demo
P. 135
Vepra e parë e botuar nga Budi ishte përkthimi i katekizmit Doktrina e Kërshtenë, më 1618. Kjo vepër përbëhet nga 170 faqe, të cilat vijojnë me 19 vjersha të përshpirtshme, me strofa tetërrokëshe dhe me rimë të alternuar (abab). Kjo vepër ka pasur tri ribotime, i fundit ndër to daton më 1868. Çdonjëri prej krijimeve poetike të përfshira në këtë libër, brenda frymës fetare që i përshkon, ka një subjekt më vete. Budi pohon qysh në hyrje se këto poezi i ka gjetur të shkruara nga frati Pal prej Hasit, që janë sipas tij gjithsej 2800 vjersha, duke na sjellë me këtë rast edhe një dëshmi të rëndësishme për shkrimin më të kahershëm të letërsisë shqipe, nga sa njihet e dokumentuar gjer më sot.Në Romë, Budi botoi edhe tre libra të tjerë radhazi të përkthyer në shqip, si: Pasëqyra e trefyemit, Rituali roman dhe Spiegimi i meshës latine (1621).Edhe pse brenda kornizave të doktrinës fetare, poezia e Budit ka shenja të dukshme origjinaliteti. Këtë origjinalitet dhe njëkohësisht vlerë artistike, ia jep fjala shqipe me tërë pasuritë e saj shprehëse, të cilën ai e kërkon dhe e sjell, ashtu si ajo përcillej ndër breza. Leksiku, frazeologjia, figurshmëria dhe sintetizmi shprehës i kësaj gjuhe, i dhanë mundësi atij për t’iu shmangur disi modeleve të teksteve kanonike fetare dhe për të përcjellë përmes tyre, në mjaft raste, gjendje e përjetime vetjake. Vjershat e tij, që janë kryesisht strofike katërvargëshe e tetërrokëshe, ndjekin një modelim strukturor folklorik. Kjo shpjegohet me ndikimin konceptual popullor, i cili është mjaft i pranishëm në krijimet e tij. Sakrifica, vaji, besimi, lindja, vdekja dhe pavdekësia, mëkati dhe falja, tokësorja dhe qiellorja, janë shenja të dallueshme të doktrinës fetare, por te poezia budiane ato shfaqen me referenca të spikatura njerëzore, që vijnë si përjetime dramash e situatash reale.Edhe në një poezi tipike adhurimi, si I madhi zot, qofsh lëvduom, poeti, jo vetëm që nuk harron të mendojë për Arbëni, por krijon edhe një afresk të gjallë të jetës njerëzore, ku ndihet pendimi i thellë prej mëkatit, që përjetohet si një rilindje, e cila ngrihet në një varg krahasimesh të goditura artistikisht:… posi pemëtë ndë prijllndë shpijrt me lulëzuom;e si zogzitë ndë pyyllt,Zoti im me të lëvduom,ndjerë vetë nata mbyyllt,me një zaa t’amblëtuomNë poezinë e Budit bie në sy ndjeshmëria e hollë, e cila në mjaft raste arrin ta tejkalojë ngurtësinë e tematikës doktrinare. Aty spikatin jo pak figura letrare e detaje jetësore, që e afrojnë atë më tepër me jetën reale. Është pikërisht kjo veçori krijuese, që i ka dhënë kësaj poezie gjallëri, vërtetësi dhe një lirizëm të butë. Studim teksti1. Në ç’mënyrë u përfshi Pjetër Budi në problemet e kohës? Si vlerësohet patriotizmi i tij? Po angazhimi fetar?2. Një nga punët me shumë vlerë të Budit është edhe përkthimi i veprave fetare në gjuhën shqipe. Cili qe synimi i kësaj pune dhe si reflektohet gërshetimi i punës së meshtarit me atdhetarin?3. Renditni veprat e këtij poeti dhe thoni ç’përfaqëson secila prej tyre.4. Diskutoni mbi karakteristikat e poezisë së tij, duke u ndalur veçanërisht te ndikimi i modelit popullor që ndoqi në llojin e vargjeve, strofave apo rimave.5. Identifikoni disa tema të doktrinës së krishterë, që në poezinë e Budit fituan tipare njerëzore të jetës së përditshme.133

