Page 15 - Demo
P. 15
LEGJENDAT janë tregime fantastike, në të cilat, ngjarje me bazë historike ose reale shndërrohen nga imagjinata popullore. Legjendat trajtojnë tema, subjekte dhe motive të larmishme, kanë mjete shprehëse e stilistikore të shumëllojshme. Legjendat kanë një subjekt që thuret artistikisht. Ato japin të dhëna për ngjarje, figura dhe vende të ndryshme, të cilat i përcjellin përmes fantastikes, trillimit, aq sa edhe kur figurat janë historike ose reale, shndërrohen dhe duken si të pabesueshme. Figura artistike karakteristike për legjendat janë personifikimi dhe hiperbola. Legjendat ndahen në mitologjike (për figura mitologjike, gjeofizike, zoogjenetike dhe fitogjenetike, kozmogonike fetare, eponimike, onomastike) dhe historike. PËRRALLAT janë tregime popullore të trilluara, plot fantazi dhe me elemente të çuditshme, në të cilat luajnë rol të rëndësishëm elementet e jashtëzakonshme (ngjarje, situata, personazhe, vende). Me anë të përrallave paraqiten mendimet dhe ëndrrat e njerëzimit në formë alegorike. Tipare dalluese të përrallave janë: 1. prania e së jashtëzakonshmes në përmbajtje, në personazhe, në mjete ndihmëse; 2. antropomorfizimi dhe ekzagjerimi artistik i realizuar nëpërmjet figurave artistike, si: personifikimi dhe hiperbola; 3. struktura me disa episode në lidhje logjike mes tyre, vazhdimësi e zhvillim dinamik; 4. veprime dhe personazhe treshe: tre vëllezër, tri veprime të guximshme, tri detyra të vështira, tri mjete mrekullibërëse, tri kafshë etj.; 5. fitorja e së mirës mbi të keqen, e shprehur në fundin e lumtur të çdo përrallë, në realizimin e qëllimit përfundimtar; 6. përshkrimi përqendrohet në bëmat dhe në veprimet e heroit kryesor, i cili i kapërcen me sukses pengesat dhe ia arrin përherë qëllimit të tij; 7. hapësira e papërcaktuar dhe e gjerë ku kryhen veprimet; 8. koha e pacaktuar kur kryhen veprimet. FABULAT janë tregime alegorike me personazhe kafshë a bimë, të cilat përmbajnë të gjitha karakteristikat tipike të përrallave. Në një fabul, kafshët flasin, veprojnë e mendojnë njësoj si njerëzit, si dhe bashkë me ta. Nëpërmjet përshkrimit të veprimeve, marrëdhënieve, bashkëbisedimeve të kafshëve e të bimëve, fabulat trajtojnë probleme që lidhen me marrëdhëniet dhe tiparet e njerëzve. Fabulat trajtojnë çështje, ide, parime morale, transmetojnë mesazhe, të cilat jepen në fund në formë moralizimi a këshille, si: “Po s’deshe me e ndjekë të drejtën me të mirë, ke me e ndjekë me të vështirë”; “Lum kush vë mend në shtëpinë e të tjerëve”. PROVERBAT ose fjalët e urta janë thënie të shkurtra që shprehin në mënyrë mjaft sintetike mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme. Ato paraqiten e shprehen si të vërteta kategorike, të pakundërshtueshme e me vlera të përhershme. Tiparet e fjalëve të urta janë: sintetizmi, karakteri përgjithësues dhe mënyra figurative e të shprehurit. Proverbat ndërtohen me fjali mungesore. Ideja e tyre nuk del nëpërmjet shtjellimit të ndonjë subjekti, pasi proverbat janë në thelb shprehje e asaj ideje. NOVELA është një rrëfim i shkurtër në prozë (rrallë në vargje) e përqendruar në një ngjarje shumë të thjeshtë dhe të përfunduar, e cila përqendrohet në elementet thelbësore të ngjarjes. Novela ka si protagonistë personazhe të zakonshëm që vihen në të njëjtin plan me njeriun e zakonshëm, me të cilët lexuesi mund të identifikohet. Zakonisht quhen novela rrëfimet me tone realiste, të përqendruara te shakaja, batuta e gatshme, shpërthimi i inteligjencës, prandaj shpesh thuhet që novela ka një subjekt të mprehtë, zhvillohet shpejt dhe zgjidhet në mënyrë të papritur. Novelat ndahen 13

