Page 152 - Demo
P. 152


                                    Ferri dantesk ka formën e një koni me nëntë rrathë, të cilët sa më poshtë zbresin, aq më tepër ngushtohen. Nëpër Ferr kalojnë lumi Akeron, këneta e Stigjes, lumi i gjakut Flegjeton që mblidhen në fund për të mbushur liqenin Koçito. Ferri përfundon në qendër të Tokës, ku ndodhet Luçiferi. Në Ferr ndodhen shpirtrat që në jetën tokësore nuk janë ndriçuar nga arsyeja, virtyti dhe dashuria për Perëndinë: në rrethin e parë, paganët; në të dytin, mëkatarët e pasionit (epshit); në të tretin, grykësit; në të katërtin, koprracët dhe dorëlëshuarit; në të pestin, gjaknxehtët, krenarët, përtacët; në të gjashtin, ata që nuk besojnë në zot; në të shtatin, tiranët, vrasësit, të vetëvrarët, fajdexhinjtë; në të tetin, gënjeshtarët, hajdutët; në të nëntin, tradhtarët. Ndëshkimet janë të ndryshme dhe bëhen sipas mëkatit të kryer: sa më poshtë zbritet në Ferr, aq më të rënda janë ndëshkimet. Fajet në Ferr Dante i ndan sipas teorisë së Aristotelit, ku njeriu mëkaton nga mospërmbajtja (grykësia, koprracia, etj) dhe këtu Poeti dënimet i jep më të lehta, dhe nga shpirtligësia (dhuna, tradhtia) dhe këtu Poeti dënimet i jep më të rënda. Dënimet që poeti u jep mëkatarëve në Ferr dhe Purgator janë simbolike: tiranët i ka futur në gjak të përvëluar, fajdexhinjtë kanë të varur në zverk çanta të rënda, hipokritët janë të veshur me mantele prej teneqeje të lyera përsipër me ar, fallxhorët e kanë kokën e përdredhur mbrapa, ndërsa batakçinjtë janë të zhytur në zift përvëlues. Tradhtarët i ka futur deri në grykë në Koçiton e ngrirë për të treguar zemrën e ftohtë akull të tyre. Purgatori dantesk ka formën e një mali të ndarë në shtatë tarraca, ku ndodhen shpirtrat e mëkatarëve sipas shkallës së fajit. Në Purgator, shpirtrat mund të pastrohen nga mëkatet (më të vogla e më të falshme, ndryshe nga ato të Ferrit) nëpërmjet vuajtjes dhe pendesës. Në hyrje të purgatorit, në antipurgator, qëndrojnë të shkishëruarit dhe të penduarit me vonesë; në tarracën e parë, kryelartët; në të dytën, ziliqarët; në të tretën, gjaknxehtët; në të katërtën, përtacët; në të pestën, kurrnacët dhe dorëlëshuarit; në të gjashtën, nepsqarët; në të shtatën, mëkatarët e pasionit (epshit). Parajsa danteske përbëhet nga nëntë qiej: në qiellin e Hënës qëndrojnë shpirtrat që nuk përmbushën betimet; në atë të Merkurit, shpirtrat aktivë që fituan lavdi në tokë; në qiellin e Afërditës, shpirtrat e dashuruar; në qiellin e Diellit ngadhënjejnë teologët; në qiellin e Jupiterit, shpirtrat e mbretërve dhe të princave të drejtë; në qiellin e Marsit, shpirtrat e luftëtarëve të fesë së krishterë; në qiellin e Saturnit qëndrojnë soditësit ose mistikët; në qiellin e yjeve të palëvizshme, Dantja sheh triumfin e dritave të Krishtit dhe të Marisë dhe jep një provim teologjie për fenë, shpresën, dashurinë; në qiellin e të Parit Lëvizës Dantja ndjek vallen engjëllore. Më pas, ai arrin në qiellin metafizik, jashtë kohës dhe hapësirës, të quajtur Empir, vendi i Hyjit, ku ai sheh dritën hyjnore, misterin e Trinisë së Shenjtë dhe atë të Mishërimit. Të bekuarit e Parajsës nuk kanë vende të caktuara, por ata qëndrojnë në një si amfiteatër ku mund të shohin përjetësisht Hyjin. Parajsa danteske është një tablo paqeje dhe hareje, ku shpirtrat engjëllorë, që fluturojnë në trëndafilin qiellor, soditin dritën që rrezaton mbi ta dashuria e Hyjit. Françesko Botiçini, Ngritja e Zojës së Bekuar në qiell, 1475-1476Vepra danteske është aktuale, sepse Dantja, babai i gjuhës dhe letërsisë italiane, është për letërsinë dhe qytetërimin italian, ashtu siç është Bahu për muzikën perëndimore: vepra e tij më shumë se shprehje artistike, shërben si model jetësor dhe vijë ndarëse e gjykimit moral, politik etj.Romano LuperiniVepra është e mbushur me alegori dhe simbole të shumta, pasi ngjarjet, personazhet dhe përjetimet, përveç kuptimit të drejtpërdrejtë, përmbajnë edhe kuptime të tjera. Toni dhe stili i përdorur nga autori është i ndryshëm për secilën kantikë. Në Ferr, toni është i ashpër ndërsa stili tragjik. Në Purgator, toni është i përvuajtur, kurse stili melankolik. Në Parajsë, toni i butë, ndërsa stili i gëzueshëm dhe lirik. Dantja u tregon njerëzve se duhet të mposhtin dobësitë e karakterit, veset dhe plogështinë, si dhe të ecin në rrugën e virtytit dhe të përmirësimit moral, të veprimtarisë së dobishme dhe të diturisë. 150
                                
   146   147   148   149   150   151   152   153   154   155   156