Page 179 - Demo
P. 179
urta; Sanço, i ndikuar nga idealizmi kishotesk, kishotizohet: përfton një sjellje më të kujdesshme, përdor shprehje të kulturuara. Dy personazhet plotësojnë njëri-tjetrin si një mozaik; edhe kur nuk janë dakord, ata të dy nuk krijojnë opozitë, pasi janë dy fytyrat e qenies njerëzore, një sintezë poetike e shpirtit njerëzor. Mendimi kritik për romaninNë shek. XVII, bashkëkohësit, Kalderon, Kevedo, Gongora, e shihnin Don Kishotin si vepër komike. Në shek. XVIII, interpretimi komik u zëvendësua nga ai serioz. Don Kishoti u klasifikua si satirë ose parodi dhe diçka më tepër sesa një kritikë kundër librave kalorësiakë. Në Francë dhe Angli shërbeu si model. Në shek. XIX, Fridrih Vilhelm Josef Shellingu e pa si luftë të reales me idealen. Romantikët nuk e perceptonin si satirë kundër librave kalorësiakë, por si simbol të Spanjës, sipas parimit që “vepra artistike është mishërim i shpirtit të një populli”. Don Kishoti shërbeu si model për Dikensin, Dostojevskin, Manzonin. Kritikët e Servantesit janë të shumtë: Xhorxh Vilhelm Fridrih Hegeli dhe Karl Marksi, Migel de Unamuno dhe Xhorxh Lukashi, Viktor Sklovskiji, Çezare Segre, Françisko Riko etj. Françisko Riko individualizon në raportin mes komikes dhe tragjikes alternativën interpretuese të Don Kishotit, nga disa (shek. XVII) të konsideruar si “satira më fatlume e shkruar ndonjëherë”, nga të tjerë (shek. XIX romantik) si “historia më e trishtuar e të gjitha kohërave”. Këto dy interpretime të kundërta kanë përshkuar historinë e qytetërimit modern dhe kanë përcaktuar në mënyrë të pandërprerë suksesin e romanit. Çezare Segre thotë: “Don Kishoti është galeri e gjinive letrare të kohës, ku përzihen dhe kombinohen gjini të ndryshme; është një narracion në formë spirale ku Servantesi nuk ka kurrë një këndvështrim favorizues dhe e gjykon botën e kohës së tij me të gjitha lentet e mundshme dhe me maksimumin e lirisë së lejuar.”“Libri ku gjithçka jepet si e mundshme dhe ku letërsia vepron si jeta; personazhet bëhen romane dhe romanet personazhe...” “Realja dhe poetikja janë për Servantesin antonime dhe ai “kënaqet” duke shkëmbyer objektiven me subjektiven, botën e lexuesit me atë të librit.” Jorge Luis Borges“Romani i parë i letërsisë universale ku një individ origjinal, i ndershëm dhe heroik aq sa duket grotesk, në emër të besimit të tij shpërthen një luftë kundër poshtërsisë prozaike të botës dhe zbulon nëpërmjet komikes, situatën serioze të tmerrshme të degradimit të jetës reale.” Xhorxh Lukash DonkishotizmiRomani Don Kishoti është i hapur për lexime dhe interpretime të ndryshme. Kushdo që e ka lexuar veprën, pyet veten nëse te Don Kishoti duhet të shohim fatin e çdo veprimi bujar dhe çlirues apo përçmimin për çmendurinë e heqjes dorë nga arsyeja? Romani duhet lexuar mes rreshtave, figurat duhet të shihen të përmbysura, mendimi gjendet i fshehur dhe i nënkuptuar. Servantesi i fshehu me shumë kujdes interpretimet e tij për historinë e Spanjës, historinë e vet personale dhe përvojat jetësore, pas fjalëve, fjalive e paragrafëve. Leximi i thelluar i veprës të çon drejt dimensionit tragjik të veprës. Ironia, satira dhe humori, janë forma inteligjente për të trajtuar tema të vështira, për të thënë të vërteta të papranueshme. Filozofia e donkishotizmit, është filozofi e vlerave pozitive njerëzore, shpirtërore, estetike, intelektuale dhe fetare. Aty mbruhen inteligjenca, intuita, ndjeshmëria, dashuria, guximi, vullnetarizmi dhe dëshira e vazhdueshme për të bërë mirë, pasioni për drejtësi, ndershmëria e admirueshme, shpirti i sakrificës, lufta për kauza të ndershme. 177

