Page 180 - Demo
P. 180
Kishoti vendosi të mos jetë një lexues pasiv i librave që adhuronte, por një luftëtar plot shpresë për të përmbushur qëllimin e ekzistencës së tij: të vërë drejtësinë në tokë kundër padrejtësive. Kishoti ishte në harmoni të plotë me idealin e tij dhe në tension të vazhdueshëm me realitetin e ashpër që e rrethonte. Jeta e njeriut është e dyzuar, mes jetës së ëndërruar dhe të jetuar. Donkishotizmi mbështetet mbi këtë realitet të dyzuar. Interpretime të donkishotizmit në shekuj Në shek. XVII, donkishot ishte njeriu që ka humbur ndjenjën e realitetit dhe nuk e dallon atë nga fantazia. Në shek. XVIII, ai u pa si personazh humoristik dhe si simbol i kombit spanjoll, viktimë e paragjykimeve. Në shek. XIX, romantikët anglezë e konsideruan si personazh karikaturesk dhe si hero tragjik, viktimë të konfliktit mes individit dhe shoqërisë, marria e të cilit ishte fryt i imagjinatës së shfrenuar. Për Josef Adisonin, ai ishte simbol i fuqisë së individit për të kapërcyer realitetin e trishtuar pa aventura. Poeti Samuel T. Kolerixh mendon se Kishoti është njeriu që për idealet e tij lufton me botën që i është kundërvënë; nuk është i çmendur, por fantazia e tij është e ekzagjeruar; ai ishte një vizionar me një defekt të vetëm, nuk kuptonte çdo gjë, prandaj i duhej një si Sanço: ata të dy së bashku ndërtojnë një intelekt të përsosur. Për Artur Shopenhauerin, donkishotizmi është filozofi e heroit aventurier e vizionar, me shpirt idealist, që zhgënjehet përballë botës mediokre meskine. Sipas Ivan Sergejeviç Turgenjevit, Kishoti shpreh në vetvete besimin tek e vërteta e përjetshme dhe e palëkundshme që gjendet jashtë njeriut, si dhe përkushtimin ndaj idealit për të cilin është gati të flijojë edhe jetën, sepse jeta ka vlerë vetëm si mjet për realizimin e idealit që është triumfi i së vërtetës dhe i drejtësisë mes njerëzve. Në shek. XX, Don Kishoti nuk interpretohet si njeriu i çmendur, por si një njeri që kënaqi deri në fund fantazinë e tij. Sipas studiuesit servantin Migel de Unamuno, Don Kishoti përfaqëson besimin naiv e qesharak pa të cilin askush nuk mund të jetojë, sepse pa këtë pafajësi naive, nuk ka shpirt; kush nuk është në gjendje të shohë vizione dhe t’i besojë, nuk është në gjendje të luftojë për t’i realizuar ato. Xhorxh Oruelli mendon se në mendjen e njeriut janë edhe Don Kishoti, edhe Sanço Pança: njëra pjesë e njeriut dëshiron të jetë hero ose shenjtor, pjesa tjetër është njeriu që shikon më kthjellët, kështu që është e gënjeshtërt të thuhet që Kishoti nuk bën pjesë te njeriu. Përkthimi i romanit në gjuhën shqipe, i bërë nga Fan Noli (1932), interpretimi që bëri tek “Introdukte” ku zëvendësoi “Prologun I” të Servantesit, rishkrimi i epitafeve etj., ka krijuar një interpretim të dyfishtë, disi ndryshe të filozofisë së donkishotizmit tek ata shqiptarë që nuk e kanë lexuar romanin në origjinal ose në një gjuhë tjetër të huaj. Në kuptimin pozitiv donkishotizmi është parë si aftësia për t’u udhëhequr nga ide të mëdha, vetëm dhe kundër të gjithëve, ndërsa në kuptimin negativ si mungesa e aftësisë për t’u orientuar saktësisht që sjell si pasojë reagime, sjellje dhe veprime të gabuara “në mbrojtje të së vjetrës”. Donkishotizmi është shprehje e paaftësisë njerëzore për t’i parë gjërat ashtu si janë; manifestohet si pleksje, përzierje e mençurisë, urtësisë me marrëzinë; është botëkuptimi i vizionarit, i ëndërrimtarit, i idealistit; e fton njeriun të jetojë në përpjekje; të tejkalojë veten përmes idealeve njerëzore; të jetojë njerëzisht, duke ëndërruar e duke vepruar. Alfred UçiArtisti bashkëkohor meksikan Oktavio Okampo, me pikturën e tij ilustron këndvështrimet e ndryshme për shkrimtarin, personazhet dhe betejat e zhvilluara në libër. 178

