Page 182 - Demo
P. 182
Lexues i plogësht, pa u betuar, mund të më besosh se do të doja që ky libër, si fryt i mirëkuptimit, të ishte më i bukuri, më i mençuri dhe më i qarti që mund të imagjinohet. Por, nuk mund t’i kundërvihem unë rendit të natyrës, se në të çdo gjë përfton zanafillën e vet nga e ngjashmja e saj. Dhe kështu, çfarë mund të ngjizte mprehtësinë time sterile dhe të keq-kultivuar, përveç se historia e një njeriu të thatë, të rrëgjuar, trillan dhe të mbushur me mendime të shumëllojshme dhe kurrë të imagjinuara nga dikush tjetër, as nga ai që u formua në qeli, ku shtrohet parehatia dhe ka vend çdo zhurmë e trishtë. Qetësia, vendi i këndshëm, bukuria e fushave, kthjelltësia e qiejve, pëshpëritja e ujërave të burimeve, paqja e shpirtit lozin rol të madh që muzat më shterpa bëhen pjellore dhe i ofrojnë botës ringjallje, duke e mbushur me dukuri të mrekullueshme dhe gëzim. Bën vaki që një baba të ketë një fëmijë të shëmtuar, por dashuria që ka për të ia mbulon me një shami sytë, që të mos shikojë defektet e tij, ose i merr ato si dhunti dhe hire, dhe ua tregon miqve të tij si mprehtësi. Por unë, ndonëse dukem si i ati, jam njerku i Don Kishotit. Nuk dua të veproj sipas zakonit, as të përgjërohem me lot në sy, siç bëjnë të tjerë, o lexues i shtrenjtë, që t’i fal apo t’i anashkaloj defektet që mund të shikosh në këtë fëmijë timen, se s’je as i afërm e as mik i tij, sepse ke shpirtin tënd në trupin tënd dhe gjykimin tënd të lirë, e je në shtëpinë tënde, zot i të cilës je, si mbreti i haraçeve të tij, dhe di se çfarë zakonisht thuhet “poshtë pelerinës sime, edhe mbretin vras”. Të gjitha këto të përjashtojnë dhe të lirojnë nga çdo lloj respekti dhe detyrimi: kështu mund të thuash për këtë histori çfarë të të vijë, pa frikë se të përgojojnë për çka thua të keqe apo të çmojnë për çka thua të mirë. Dua vetëm të ta jap të zhveshur e të qëruar, pa zbukurimin e prologut e pa katalogun e zakonshëm e të panumërueshëm të sonetave, epigrameve dhe lëvdatave që vihen vazhdimisht në fillim të librave. Sepse duhet të të them, që megjithëse më kushtoi punë që ta krijoja, asgjë nuk krahasohet me mundimin që më mori bërja e kësaj hyrjeje. Shumë herë mora penën për ta shkruar, dhe shumë herë e lashë, nga mosdija se çfarë do të shkruaja; e duke ndenjur një herë pezull, me letrën përpara, penën në vesh, bërrylin mbi tavolinë dhe dorën në faqe, duke menduar çfarë do të thosha, hyri atëherë një miku im, i lezetshëm dhe mjeshtër i ditur, i cili duke më parë kaq të menduar, më pyeti për arsyen; unë nuk ia mbajta të fshehur, i thashë për hyrjen që duhej t’ia bëja historisë së Don Kishotit, dhe se më kishte kapur keq, se nuk doja të nxirrja në dritë bëmat e një kalorësi kaq fisnik. Se, si kërkoni që mos jem i turbulluar se çfarë do të thotë gjykatësi FRAGMENTPrologu IPrologu I, i shkruar në një spanjishte shumë letrare, i drejtohet lexuesit të papunë dhe i rrëfehet se ideja e romanit i ka lindur autorit në burg. Servantesi thyen skemat e kohës, duke nxjerrë në pah modernitetin e veprës, duke e paraqitur atë si të hapur për bashkëpunim me lexuesin, të cilit i jep liri interpretuese. Prologu na jep informacion mbi zakonet që shoqëronin zhvillimin letrar të kohës. Servantesi dialogon me mikun e tij imagjinar që e këshillon si të shkruajë. Meqenëse vepra e tij ndryshon nga ato të kohës, ai u druhet kritikave dhe mendon si t’u përgjigjet paraprakisht atyre. Ai e karakterizon librin e tij të thjeshtë, pa erudicionin e kulturës klasike (të përfaqësuar nga citate në gjuhën latine e referenca klasike). Në prolog shprehet qartë qëllimi për të krijuar një tip të ri rrëfimi dhe për të vënë në lojë dhe diskretituar romanet kalorësiake në sytë e lexuesit. Kritika dhe parodia ndaj letërsisë së kohës, e tejmbushur me informacione boshe, intelektualizma të rreme e pa bazë dhe shprehje latine, është mjaft e dukshme. Autori ka thënë: “Me “Don Kishotin” desha të argëtoja çdo gji të mbushur mall e zemëratë në gjithë vendet e në gjithë motet”.Servantesi duke shkruar prologun e Kishotit. 180

