Page 199 - Demo
P. 199
Kryeveprat e ShekspiritRomeo dhe Zhuljeta është historia e dashurisë me shikim të parë e dy të rinjve nga Verona që vdesin bashkë në emër të dashurisë, në një sfond të përndezur nga urrejtja dhe paragjykimet, dhe që kthehet në një mit e simbol të pasionit e sakrificës për dashurinë. Nën dritën e hënës, te ballkoni i Zhuljetës, ata i japin besën njëri-tjetrit dhe martohen fshehtas në kishë. Më pas ndodh vrasja e Merkutit dhe e Tibaldit, internimi i Romeos dhe fejesa e Zhuljetës. Që të shmangë martesën me Paridin, ajo pi barin që do ta vërë 42 orë në gjumë. Romeo nuk merr letrën që e njofton për planin, por lajmin për vdekjen e saj. I dëshpëruar, blen helm dhe vret veten pranë trupit të saj. Frati Laurens nuk arrin të ndalojë as atë dhe as Zhuljetën, e cila kur sheh Romeon të vdekur, vret veten me helmin e mbetur në buzët e tij dhe me kamë. Vullneti i lirë për t’u lidhur me të zgjedhurin e zemrës, konflikti mes ndjenjave të lira të dy të rinjve dhe mendësisë së prindërve e rrethit shoqëror, triumfi i dashurisë së vërtetë mbi armiqësitë, e bëjnë këtë tragjedi të pëlqyer edhe sot. Makbethi është tragjedia më e përgjakur dhe më e përsosur nga pikëpamja artistike. Edhe pse mbështetet në Kronikat e Anglisë, Skocisë dhe Irlandës dhe ngjarjet zhvillohen në Skocinë mesjetare të shek. XI, nuk është dramë historike, por tragjedi me pasione të forta, me karaktere që kanë natyrë komplekse dhe me mesazhin që lakmia për pushtet e shtyn njeriun të humbë çdo virtyt dhe vlerë morale, por për këtë ai do të marrë ndëshkimin e merituar. Konfliktet dhe zgjidhja tregojnë idetë humaniste të autorit: barazia mes njerëzve, mendimi i pavarur, liria dhe virtyti. Jul Qezari tregon brishtësinë e njeriut, madje edhe të njerëzve të pushtetshëm, të cilët gjithashtu nuk kanë siguri dhe qetësi, dhe se si planet që dikush bën ndaj tjetrit mund t’i kthehen atij vetë kundër. Qezari, në kulmin e pushtetit dhe të lavdisë së tij, bëhet pre e zilisë së Kasit dhe e idealizmit të Brutit. Bujar dhe i sigurt në vetvete, por i përshkuar nga një ndjenjë fatalizmi, edhe pse njoftohet për komplotin kundër tij, ai nuk merr masa. Komplotistët e realizojnë aktin e turpshëm të mosmirënjohjes dhe të zilisë, por nga gjesti i tyre nuk fitojnë asgjë të mirë. Mbreti Lir mbështetet në një gojëdhënë kelte, fundin e lumtur të së cilës Shekspiri e ndryshon (vdesin të tria vajzat dhe mbreti). Kjo tragjedi e konfliktit mes ndjenjës së pastër humane dhe ndjenjës së egër të interesit dhe të egoizmit, është mbretërore. Konflikti lind nga krimi i rëndë e i dyfishtë: uzurpimi i pushtetit dhe vrasja e mbretit, nga vajzat mosmirënjohëse që e përbuzin babanë. Mbreti Lir me karakter të dyfishtë kontradiktor: humanist e despot, kureshtar e cinik, shpirtpastër e dyshues, çmendet kur ballafaqohet me të vërtetën (vajzat lajkatare, të cilave u la pasurinë, e përzënë), por shërohet nga kujdesi i Kordeles fisnike (vajza, të cilën ai e përzuri). Loloja besnik i mbretit shpreh idetë humaniste të Shekspirit dhe besimin e tij në një të ardhme ku drejtësia, dashuria pa interes, morali i lartë, virtyti dhe besa do të triumfojnë. 197

