Page 20 - Demo
P. 20
DramaDrama, si gjini letrare, ka në thelb konfliktin. Drama ka disa pika mbi të cilat ai zhvillohet: ekspozicioni, thurja, kulminacioni, peripecia, ndërprerja dhe shthurja. Realizimi i tyre lidhet me unitetin e veprimit, koncept ky i shfaqur fillimisht nga Aristoteli. Sipas tij, uniteti i veprimit kuptohet si “imitim i një veprimi të përkryer e të tërë” që ka një fillim, mes dhe mbarim. Më vonë, teoria i shtoi dramës edhe unitetin e vendit e të kohës, të cilat në dramaturgjinë moderne nuk zbatohen gjithmonë. Në dramë, autori nuk komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes dialogut, nëpërmjet të cilit realizohet komunikimi i personazheve. Teksti dramatik organizohet në akte, të cilat ndahen në skena. Ai përmban informacion udhëzues, shpeshherë në kllapa ose me shkrim të pjerrët, i cili quhet didaskali dhe informon për veprimet dhe rolet e personazheve (aktorëve). Drama është një vepër artistike, e shkruar me synimin për t’u aktualizuar në një lojë aktoriale, pra lidhet specifikisht me skenën. Format e para të shkrimit të dramave kanë qenë në vargje, kurse sot ato shkruhen në prozë. Në Antikitetin grek, poezia dramatike u shfaq në llojin e tragjedisë dhe të komedisë. KOMEDIA është një tekst dramatik me fabul që (sipas përkufizimit të Aristotelit) imiton “personat më vulgarë se njerëzit e zakonshëm”, ndodhitë dhe karakteristikat e të cilave ngjallin të qeshura. Komedia, ashtu si edhe tragjedia, fillimisht ishte e lidhur me ritet festive kushtuar Dionisit, të lidhura me tokën dhe me verën, dhe e ka zanafillën nga këngët e korit pas të cilave futej dialogu. Gjinia u zhvillua mjaft në Athinën e shek. X para erës sonë me Aristofanin (“Paqja”, “Lisistrata”, “Plutoja” etj.), i cili përpunoi një komedi të lidhur ngushtë me realitetin shoqëror e politik të kohës së tij, plot aluzione dhe sulme kundër personazheve më përfaqësues të epokës. Funksioni për t’iu drejtuar direkt publikut me sharje dhe batuta satirike i ishte besuar korit. Edhe komedia, ashtu si tragjedia, shoqërohej me muzikë, valle, këngë. Rreth shek. III para erës sonë, me dobësimin e demokracisë, ndryshimi i gjendjes politike nuk lejonte një liri kaq të madhe të fjalës dhe komedia e lashtë ia la vendin komedisë së re, e cila ishte e përqendruar te zhvillimi i veprimit dhe tek tiparet e personazheve. Në përgjithësi, ngjarjet trajtonin temën e dashurisë, me situata fillestare të ngatërruara plot pengesa që përfundonte me fund të lumtur. Përfaqësuesi më i madh i komedisë së re ishte Menandri. Pas tij mund të përmenden: Plauti, Terenci etj. Stili i komedisë është i ulët dhe gjuha e përditshme. TRAGJEDIA është një tekst dramatik që imiton veprime serioze të njerëzve të veçantë, me një gjuhë ritmike, harmonike dhe melodike, në formë dramatike dhe jo rrëfyese, e cila nëpërmjet një sërë rastesh që ngjallin mëshirë dhe tmerr, krijon efektin e nxitjes dhe të pastrimit të shpirtit nga pasionet: procesi që ndodh në shpirtin e njeriut si pasojë e këtij efekti është quajtur katarsis. Recitimi i aktorëve të tragjedisë shoqërohej me muzikë, këngë dhe valle; pjesët e kënduara, që i besoheshin korit, alternoheshin me ato të recituara nga aktorët. Personazhet ishin fisnikë, heronj, dhe ashtu si në poemën epike, ishin mbi nivelin e njerëzve të zakonshëm. Ngjarja e treguar përbëhej nga një veprim i vetëm, e cila, me anë të ndërthurje së fakteve, bazohej në kalimin e protagonistit nga një gjendje lumturie në palumturi, përmes peripecisë ose “ndryshimit të papritur nga një gjendje në një gjendje të kundërt”. Heronjtë e tragjedive janë të pafajshëm dhe pre e dilemës së tyre për të përmbushur detyrën e madhe që u është caktuar dhe dënimit të pashmangshëm që i pret. Edhe pse publiku e dinte fatin tragjik të protagonistit ose protagonistes së tragjedisë, ata i nënshtroheshin efektit të gjatë e të tensionuar shpirtëror e mendor pastrues që vinte nga reflektimi për problemet etike dhe politike që diskutoheshin në veprat që viheshin në skenë. Tragjedia greke, duke i marrë argumentet e saj nga mitet, luajti një rol shumë të madh në formimin shoqëror dhe njerëzor të qytetarëve. Krijuesit më të mëdhenj të tragjedisë greke janë shkrimtarët e shekullit V para erës sonë, si: Eskili (Prometeu i lidhur, Persianët), Sofokliu (Antigona, Elektra, Edipi mbret) dhe Euripidi (Andromaka, Ifigjenia në Tauridë, Alcesti, Trojanët etj.) teatri tragjik degradoi dhe latinët nuk i shtuan asgjë të re këtij zhanri letrar. Në letërsinë shqipe, drama e parë që njohim është Emira (1885), nga Anton Santori. Më pas u bë e njohur edhe drama Besa, e shkruar nga Sami Frashëri. Dramaturgë të njohur janë edhe Shtjefën Gjeçovi, Mihal 18

