Page 41 - Demo
P. 41
GJERGJ ELEZ ALIAMUJI DHE HALILI Cikli i Këngëve të KreshnikëveCikli i Këngëve të Kreshnikëve ose siç quhet ndryshe Këngët e Mujit dhe Halilit, bën pjesë në epikën legjendare shqiptare. Këtu përfshihet edhe kënga e njohur e Gjergj Elez Alisë, që trasmeton vlerat e sakrificës për të mbrojtur nderin e trojeve dhe familjes përballë egërsisë së pushtuesve. Karakteristika të kësaj epike legjendare janë pasqyrimi tejet i zmadhuar i ngjarjeve dhe i veprimeve të heronjve, paraqitja e tyre me tipare e dhunti të jashtëzakonshme, legjendare. Ky epos është një nga vlerat më të hershme e më të çmuara të folklorit shqiptar. Kryesisht, ai ka qenë i përhapur në zonat e Veriut të Shqipërisë dhe mbledhja e botimi tij, daton vonë. Një botim disi i gjerë është bërë fillimisht te revista Hylli i Dritës më 1924 dhe më pas u përfshi i plotë në vëllimin e dytë të serisë së botimeve Visaret e kombit. Ekzistojnë mjaft variante të këngëve të këtij cikli dhe studiuesit i kanë regjistruar ato nëpër ekspeditat e organizuara në krahina të ndryshme të Veriut të Shqipërisë e Kosovës. MjedisiAmbientet ku zhvillohen ngjarjet e këtyre këngëve janë blegtorale. Hapësira ku ndodhin bëmat është përreth Jutbinës: Bjeshkët e Namuna, Mrizet e Mëdha, Lugjet e Verdha. Nuk mund të flitet për një datë të saktë të krijimit të tyre. Aty gjenden gjurmë të dyndjes së sllavëve nga Danubi i Poshtëm për në Ballkan, por edhe gjurmë të luftërave më të vjetra në trojet shqiptare. Këngët kreshnike flasin për luftërat kundër sllavëve (shkive), që u dyndën në gadishullin Ballkanik e vazhduan për shumë kohë. Ato mendohet që të jenë krijuar në periudhën e shekujve XII-XV, kohë kur nis të ndihet në botën shqiptare faza e kapërcimit nga shoqëria fisnore, në atë feudale. Ky cikël nuk mund të shihet i shkëputur nga ciklet e eposeve europiane e sigurisht, edhe nga ato sllave, që kanë qarkulluar nëpër viset ballkanike, por studiuesit mbeten plotësisht të bindur për origjinalitetin e eposit shqiptar. Në Eposin e Kreshnikëve, fryt i historisë së popullit tonë ndër shekuj, veçanërisht gjatë periudhës së Mesjetës, shpaloset bota, filozofia dhe psikologjia e shqiptarit, marrëdhëniet feudale në Shqipëri dhe në marrëdhënie me popujt e tjerë. Kreshnikët janë malësorë shqiptarë që jetojnë e luftojnë me dinjitet dhe nder. Jetojnë në male e në bjeshkë edhe merren me blegtori. Kreshnikët janë trima me fuqi mbinjerëzore. Ata paraqiten me veti sa hyjnore, aq edhe tokësore. Heronjtë e eposit shqiptar, në thelbin e tyre ngjajnë më shumë me perënditë pagane të periudhës greko-romake, por ngjajnë edhe me kalorësit trima të Mesjetës. Fakti që eposi shqiptar qëndron midis dy tipave të eposeve, flet për kohën e ndërmjetme të formimit të tij, e cila duhet të gjendet midis antikitetit dhe Rilindjes europiane, por nuk mund të përcaktohet saktësisht. Mitologjia shqiptare ka ardhur deri në ditët e sotme në trajta të larmishme dhe e shkrirë në krijimet folklorike gojore, në zbukurime, ornamente dhe besime popullore. Janë të njohura mitet që flasin për zana, floçka, gërshetëza, për kuçedrën e dragoin, për orën, vitoren e shtëpisë, dhinë e egër e drenushën...39

